Hiqej si zyrtar i lartë dhe tentoi t’i merrte 200 000 euro një biznesmeni, arrestohet 42-vjeçari

Tentativat e mashtrimit të biznesmenëve nën petkun e zyrtarëve të lartë duket se janë kthyer në trend.

Rasti i radhës u zbulua sërish në Tiranë. Në pranga përfundoi Arjan Ballcaj.

Ai akuzohet se tentoi të përfitonte 200 mijë Euro nga një biznesmen nëpërmjet mashtrimit duke u prezantuar si zyrtar i lartë.

42-vjeçari, banues në Kamëz, u arrestua në kuadër të operacionit ‘Reply 2’. Ka qenë biznesmeni që ka njoftuar agjencitë ligjzbatuese për skemën me të cilën po përballej.

Policia thotë se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 automjet dhe 1 celular.

42-vjeçari Arjan Ballcaj ka dyshime se nuk ka vepruar i vetëm në këtë skemë mashtrimi, ndaj policia thotë se po punohet  për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Dosja i kaloi prokurorisë së Tiranës për plotësimin e hetimeve.

Muajt e fundit janë zbuluar disa raste të gjobëvënieve ose tentativave të mashtrimit të biznesmenëve nga persona që prezantoheshin si zyrtarë ose flisnin në emër të politikanëve dhe zyrtarëve të njohur.

Kryesisht ata përdorin rrjetet sociale ose aplikacione të ndryshme për të shmangur përgjimin.