Përplasi për vdekje 74-vjeçarin në Elbasan, arrestohet 20-vjeçari

Një 20 vjeçar është arrestuar sot pasi mbrëmjen e djeshme përplasi për vdekje një 74 vjeçar. 

Njoftimi i policisë Elbasan:

Në vijim të informacionit paraprak për një aksident rrugor të ndodhur mbrëmë, si pasojë e të cilit humbi jetën një 74-vjeçar (këmbësor), informojmë se:

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 20 vjeç, banues në Elbasan, pasi mbrëmjen e djeshme, në unazën e qytetit, me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar shtetasin S. K., 74 vjeç, banues në Elbasan, i cili për pasojë humbi jetën.

Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. L., 17 vjeç, banues në Lisaj, Belsh, pasi mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Kuçovë-Belsh”, duke drejtuar pa leje drejtmi motomjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe për pasojë është rrezuar.

17-vjeçari ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit tē Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 13-vjeçar, pasi duke luajtur me bashkëmoshatarët, në shkollë, dyshohet se aksidentalisht ka goditur me grusht, në bark, një 14-vjeçar, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në spitalin e Elbasanit është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore një 5-vjeçare, banuese në Elbasan.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 5-vjeçarja është rrëzuar aksidentalisht, në ambientet e kopshtit ku qëndron.

Pasi mori mjekim në spital, vajza u largua në banesë, me familjarët e saj.

Në Komisariatin e Policisë Elbasan ka kallëzuar shtetasi S. M., banues në Elbasan, se gjatë natës i kanë vjedhur automjetin tip "Land Rover" në pronësi të vajzës së tij, të parkuar në parkingun e lagjes. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.