Komisioni për Veprimtarin Prodhuese miraton në parim projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2024”

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe votoi në parim projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2024”.

Kryetari i komisionit Arben Pëllumbi, tha se “projektbuxheti i vitit 2024 synon të përballojë sfidat që ka përpara Shqipëria, duke pasur në vëmendje kryesore mbështetjen e qytetarëve me një shpërndarje më të mirë të ardhurave”.

Gjithashtu vijoi Pëllumbi, jemi krenar edhe këtë vit ekonomi shqiptare vijon trendin rritës  që parashikohet të jetë në fund të këtij viti (2023) në nivelin 3.7%, me pritshmëri pozitive të rritjes në vitet 2024 -2026, në 4%.

“Është i rëndësishme fakti i rritjes së të ardhurave buxhetore me 27.8%, dhe nga ana tjetër rrisim dhe shpenzimet që parashikohet të kapin vlerën e 30.2% të PBB ose e thënë ndryshe buxheti i vitit që vjen do të shpenzojë mbi 7 miliard euro në të gjitha fushat që mbulon”, u shpreh kryetari i komisionit.

Sipas tij, projektbuxheti i mbështet projektin ambicioz të qeverisë për rritjen e pagave si dhe akomodon nevojat e Shqipërisë në rrugën drejt BE.

Pëllumbi tha se, “buxheti mbështet pushtetin lokal me një fond në rritje me 10.4%”, ndërsa vuri në dukje se Komisioni përveç dëgjesës që ka realizuar me ministrin e Financave dhe të Ekonomisë Ervin Mete, për projektbuxhetin e vitit 2024, ka realizuar dëgjesa edhe me ministrat për fushat që mbulon, konkretisht me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj,  me zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro”.

“Ne kemi dëgjuar paketat e mbështetjes që adreson projektbuxheti i vitit 2024 për programet zhvillimore në sektorët përkatës të ministrive, por kemi dëgjuar dhe kërkesat e tyre për mbështetjet që kërkojnë. Kështu, ministrja Balluku kërkoi mbështetjen e komisionit për një shtesë në projektbuxhetin 2024 në vlerën 6 miliard lekë, nga të cilat 5 miliardë lekë për sektorin e KESH-it dhe 1 miliard lekë për shoqërinë Albgaz për projektin e gazifikimit”, tha Pëllumbi.

Ministrja Denaj, vijoi ai, kërkoi mbështetjen e komisionit për kalimin e fondit 400 milionë lekë për shpenzim kapital të akordohet për financimin e projekteve të ujitje kullimit. Ndërsa ministrja Kumbaro, parashtroi nevojën e kalimit të disa zërave buxhetor nga sektori shpenzimeve kapitale brenda tavaneve buxhetore, në mbështetje të sektorit të mjedisit dhe turizmit.

Pas diskutimeve komisioni miratoi në parin projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2024”.