Marrëveshja për emigrantët, Soreca: Vendet mund të bashkëpunojnë sipas rregullave të BE-së. Balluku: Asgjë për t'u shqetësuar!
Zëvendëkryeministrja Belinda Balluku së bashku me të Dërguarin me Punë të Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca kanë bërë prezantimin e progres raportit për Shqipërinë.
Më pas, të pyetur nga gazetarët lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Itali për pritjen e emigrantëve afrikanë në Shëngjin, Balluku dhe Soreca kanë dhënë mendimet e tyre.
Soreca tha se mes vendeve anëtare të BE dhe vendeve jo anëtare, mund të ketë një marrëveshje që i përmbahen legjislacionit europian.
Soreca: Më lejoni të vlerësojë që Komisioni Europian është informuar, por jo konsultuar për memorandumin e vërtetimit. Për këtë arsye ne kemi marrë tekstin vetëm dy ditë më parë dhe për këtë arsye konsultimet për këtë tekst janë në vijim e sipër. Ne e kuptojmë që ky tekst është vetëm një hap i parë dhe do të duhet të përkthehet në ligj nga të dyja palët dhe këtu ne do të bëjmë dhe vlerësimin tonë. Ka detaje që duhen verifikuar në ligj. Për momentin do të ishte e parakohshme që të japim vlerësime për dokumentin se ato kanë vlerë më shumë politike dhe jo domosdoshmërisht ligjore. Në çdo rast, BE dhe shtetet anëtare mund të bashkëpunojnë se çështjet e menaxhimit të emigracionit me vendet e tjera, duke respektuar gjithmonë zbatimin e legjislacionit BE dhe konventave ndërkombëtare
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku tha se nuk ka asgjë për tu shqetësuar dhe marrëveshja do të kalojë në Parlament për ratifikim.
Balluku: Marrëveshja ka kaluar në qeveri të gjithë procesin dhe do të shkojë në parlament për t’u ratifikuar. Askush nuk duhet të shqetësohet, as për kornizën juridike të saj. Përcakton në mënyrë të duhur të drejtën e palëve. E konsiderojmë Shqipërinë një shtet europian, e kuptojmë shumë mirë problematikën që ka sot shteti fqinj. Jemi solidar. Na vjen keq që ka politikanë shqiptarë që për arsye të luftës me qeverinë merren me ngjyrën e emigrantëve. Jemi popull që kemi vuajtur në kurriz paragjykimet. Është një rrugë e gjatë, do shkojë në parlament, do e dëgjoni në komisione.
