Buxheti 2024 për diplomacinë, Hasani: Ka rritje me 9%, do rrisim rrogat e personelit dhe numrin e punonjësve
Ministri i Jashtëm Igli Hasani në mbledhjen online me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme prezantoi projektbuxhetin e MEPJ-së për 2024.
“Projektbuxheti është hartuar në funksion të aktivitetit diplomatik dhe konsullor. Planifikimi ka në themel objektivat e përcaktuara të Programit të Qeverisë.
Projektbuxheti i MEPJ për vitin 2024 është rreth 3.2 miliard lekë. Ky buxhet mundëson zbatimin e strategjive, politikave dhe objektivave të shërbimit të jashtëm”, u shpreh Hasani.
Po ashtu, ministri prezantoi dhe objektivat e MEPJ-së për 2024 ku do të fokusohet projektbuxheti i parashikuara nga qeveria.
“Integrimi Evropian, si drejtim strategjik i Politikës së Jashtme. Konsolidimi i kontributeve dhe rolit aktiv të Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare.
Marrëdhëniet dypalëshe, si komponent i pazëvendësueshëm për promovimin e interesave të vendit. Forcimi i diplomacisë ekonomike në përmbajtje dhe me mekanizma të reja.
Zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Diasporës Shqiptare 2021-2025. Në fokus edhe modernizimi i shërbimeve konsullore. Krahasuar me buxhetin e vitit 2023, ka një rritje prej 9%.
Shtesa e buxhetit konsiston në rritjen e pagave të personelit të shërbimit të jashtëm. Ministri Hasani prezanton politikat të cilat do të financohen me projektbuxhetin e vitit 2024. Numri i punonjësve të MEPJ për vitin 2024 do të jetë 561 punonjës”, theksoi ministri Igli Hasani.


