1 javë nga grushtimi i Sinajt, Nallbati: SPAK-u ka çështje më të mëdha për t'u marrë se konfrontimi ynë fizik në Kuvend
Në një intervistë për Ora News, deputeti demokrat Bledion Nallbati u shpreh se nuk e ka goditur deputetin Vullnet Sinaj në kuvend.
Ai tha se SPAK ka çështje më të mëdha për tu marrë, jo me këtë çështje.
Nallbati: E kam falur edhe unë Sinajn. Problematika të tilla ndodhin edhe në parlamente të Evropës, jo vetëm në vendin tonë, ka pasur edhe konfrontim fizik. Sot në SAPK dëshmova për realitetin; në atë seancë të ngarkuar Bardhi ka qenë në foltore duke kërkuar fjalën për procedurë, që është një shkelje tjetër, sepse fjala jepet automatikisht.
Nikolla duke shkelur procedurën i dha të drejtën e fjalës z. Sinaj dhe unë shkova për t’i hequr kartën nga mikrofoni dhe këtë veprim kam bërë po ta shohësh në kamera, për t’i ndërprerë fjalën. Ai ka reaguar në një mënyrë të tillë dhe më kapi nga duart. Kjo ishte situata që ndodhi. Është konfrontim fizik, por nuk ishte dhunë. Besoj se SPAK-u ka halle më të mëdha dhe do të ishte qesharake të merrej me këtë çështje.

