Deputetët e opozitës futen nga dritarja në Kryesi, Kikia: Nuk ishte shënuar më parë një incident i tillë
Analisti Mentor Kikia në një intervistë në Ora News foli për incidentet sot në Kryesinë e Kuvendit me deputetët e opozitës që nuk u lejuan të futeshin brenda, por ato arritën të futesh përmes dritareve. Kikia u shpreh se kjo ishte një ngjarje e pritshme pavarësisht se nuk ishte shënuar më parë një incident i tillë.
"Padyshim që ishin ngjarje të pritshme duke patur parasysh kronologjinë e tyre në tërësi pasi prej 2 javësh parlamentarizmi ka humbur atë rrjedhën normale përtej debateve që mund të konsiderohen normale dhe të pranueshme.
Kemi të bëjmë me një situatë që shkon gjithmonë e më shumë agresive me bllokimin e seancave plenare. Me skenat e kacavjerrjes nëpër kangjella, me hipjen në dritare, gjëra që nuk ishin shënuar më parë për hir të së vërtetës.
Pavarësisht se kush ka qenë në opozitë dhe në mazhorancë, lufta ka qenë gjithmonë e ashpër. Por në shtëpinë e ligjit, aty ku gatuhen ligjet nuk ishte shënuar një incident i tillë", tha ndër të tjera Kikia.
