Sekuestrimi i pronave të Gacit dhe Gjokës, Bardhi: E vendos Ramën në pozitën e kryeministrit që ka abuzuar me pushtetin

Sekuestrimi i pronave të investitorëve strategjikë Artan Gaci dhe Pëllumb Gjoka, ka reaguar Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi.

Sekuestrimi i pronave të disa investitorëve strategjikë e vendos Edi Ramën në pozitën e një kryeministri që ka abuzuar rëndë me pushtetin. Përveç miqësisë me Kryeministrin, qartësisht duket se kriteri mbi të cilin Edi Rama i ka shpallur investitorët strategjikë ka qenë grabitja e pronave publike e private prej tyre!

Një kryeministër i ndershëm nuk mund të shpallë investitorë strategjikë persona që kanë përfituar pronat në Bregdet përmes fallsifikimit. Një kryeministër i ndershëm nuk mund të shpallë investitorë strategjikë trafikantë droge dhe porositës vrasjesh me pagesë.

Tani bëhet krejt e qartë arsyeja përse Edi Rama dhe maxhoranca e tij refuzuan ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike. Shumë prej tyre nuk kanë të bëjnë me zhvillimin, por me pastrimin e parave nga punët e pista.

Me këto para kanë blerë edhe fallsifikimin e pronave, ku kanë ngritur dhe po ngrenë perandorinë e krimit dhe të korrupsionit.

Mbi këto vendime, Edi Rama ka vendosur firmën e tij dhe nuk duhet të jetë e largët dita, kur ai do të duhet të përballet me drejtësinë.