Berisha: Urdhri i GJKKO, i paligjshëm. Malltezit iu sekuestruan pasuritë brenda orës, për vrasësin Gjoka u kujtuan tani

Duke komentuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e pasurive të Pëllumb Gokës, ish-kryeministri Sali Berisha, tha se për bashkëshortin e vajzës së tij vepruan brenda orës, ndërsa për rastin e biznesmenit vepruan pas tre muajsh.

Berisha tha se ka të dhëna sipas të cilit, Pëllumb Gjokës i janë sekuestruar pasuri familjare dhe jo strategjike.

Ndërsa lidhur me procesin ndaj tij urdhri i gjykatës për t’u paraqitur 2 herë në muaj është i paligjshëm.

“Urdhri i gjykatës është i paligjshëm. Ajo që më përfaqësoi mua aty, ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe është e paligjshme. Profesor Abi Malltezit, pa provuar pas tri vitesh asnjë shkelje ligjore në mënyrë absolute, i vendosin sekuestro brenda orës, për të gjitha pronat e tij. Vrasësit Pëllumb Gjoka, mikut të ngushtë të skapistëve kriminelë, u detyruan t’i vendosin sekuestron megjithëse duhet të dini një gjë, regjistrimet e bisedave dhe mesazheve në EncroChat dhe SKY, gjykata franceze i ka pranuar si prova të mirëfillta krimi.

Megjithëse janë dorëzuar, kanë kaluar 2 ose 3 muaj dhe vetëm dje u kujtuan se ky problem ekziston. Merrni vesh ju se çfarë organizate është SKAP-i. Tani thanë se njerëzit do pyesin se këtij ia sekuestruan të gjitha pronat, dhe ato që ka pasur kur ata kanë punuar si zyrtarë në OKB, kanë pasur një rrogë më të madhe dhe kanë blerë prona, edhe ato të gjitha ia ka sekuestruar SPAK i partisë. Kurse për Pëllumb Gjokën u kujtuan dje.

Dje u kujtuan, kurse për këtë u kujtuan brenda një ore. Flet vetë. Ato që bëhen nën presion nuk janë kurrë pozitive. Ato nuk prodhojnë kurrë pozitivitet. Pëllumb Gjokës iu dha mundësia gjatë kësaj periudhe të zbrazë çdo gjë. të gjitha, llogaritë dhe çfarë kishte. Dhe kjo ishte e qëllimshme.

Se Pëllumb Gjoka, përveçse mik i Edi Ramës, është edhe mik i Taulant Ballës. E kam deklaruar këtu se ka udhëtime në Itali me Taulant Ballës. Se gjëja e parë, Pëllumb Gjokës i bllokoheshin të gjitha llogaritë. Përkundrazi, kjo sekuestro u vendos pasi ai zbrazi të gjitha llogaritë. I çoi paratë ku deshi”, deklaroi Berisha.

Në vijim, ish-kryeministri theksoi se në kushtet e Shqipërisë, kur pushteti përdoret për të vjedhur siç shohim ne, kërkesa e tij bëhet e domosdoshme.

“Për parashkrimin e kam dorëzuar në parlament, por e mbajnë në sirtar. I qëndroj plotësisht për kryeministrat. Edhe kërkesa ime nuk është se nuk është problematike. Është problematike se Strasburgu e ka rrëzuar një kërkesë të tillë. E ka rrëzuar se Strasburgu insiston se imuniteti është i parlamentit për të pasur një veprimtari normale, është i deputetit për të mos pasur presione deputeti. Në kushtet e Shqipërisë, kur pushteti përdoret për të vjedhur siç shohim ne, ajo bëhet e domosdoshme”, theksoi ish-kryeministri Sali Berisha.