GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar për ish-sekretaren e përgjithshme të MSHMS-së
Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të ish-sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Joana Duro e akuzuar për korrupsion.
Në vendimin e marrë sot, GJKKO ka vendosur që në kuadër të gjykimit të shkurtuar, Prokuroria Speciale Antikorrupsion do të lexojë pretencën më 27 tetor.
Ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Duro u arrestua më 2 qershor, së bashku me ish-specialisten e nivelit të lartë në MSHMS, Laura Shteto.
Po ashtu u arrestuan dhe administratori i kompanisë “Drikons” Vladimir Topi dhe inxhinieri Silvi Shehu.
SPAK njoftoi më 17 korrik përfundimin e hetimit ndaj të pandehurve, të cilët akuzohen për veprën penale të korrupsionit.
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dërguar për gjykim dosjen hetimore, që lidhet me korrupsionin për marrjen e një tenderi tek Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Të pandehurit dhe akuzat ndaj tyre:
– Joana Duro, e akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim.
– Laura Shteto, e akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim.
– Vladimir Topi, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim.
– Silvi Shehi, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim”, njofton SPAK.
Nga aktet e administruara ka rezultuar se e pandehura Joana Duro, me funksionin e lartë shtetëror, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) mijë lekë për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k, e cila ka fituar fazën e parë të tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për LOT 1, “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës, me fond limit 805.872 lekë”.
Nga hetimi me metoda speciale është dokumentuar fakti i dërgimit të shumës së parave prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga ana e të pandehurës Laura Shteto tek e pandehura Joana Duro, kjo e fundit me detyrë Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Kjo shumë parash i është dorëzuar të pandehurës Joana Duro në zyrën e saj në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku dhe është bërë kapja në flagrancë e saj dhe sekuestrimi i kësaj shume monetare”, njofton SPAK.
Nga hetimi ka rezultuar e provuar se se kjo shumë parash është dhënë si përfitim i parregullt nga i pandehuri Vladimir Topi, me detyrë administrator i operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, i cili ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Gjithashtu, rezulton se i pandehuri Silvi Shehi, me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, pas komunikimit me administratorin e kësaj shoqërie, të pandehurin Vladimir Topi, ka marrë shumën e parave prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga i pandehuri Vladimir Topi dhe ja ka dërguar të pandehurës Laura Shteto, e cila më pas i ka dërguar tek Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Joana Duro, kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt.

