Dëshmitarët rrëfejnë tmerrin në Korçë: Autori i droguar, e goditi gruan me hanxhar dhe më pas edhe një burrë që ndërhyri
Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të ditës së sotme në Korçë.
Një grua ka mbetur e plagosur pasi u godit me hanxhar në zonën e njohur si pazari i Korçës, nga një i ri.
Po ashtu, i plagosur lehtë ka mbetur dhe një shtetas tjetër i cili ishte i pranishëm në vendngjarje dhe ndërhyri për t’ia hequr nga dora autorit armën e ftohtë që mbante në duar.
Ndërsa nuk dihet ende shkaku i këtij konflikti mësohet se autori i plagosjes është shoqëruar në policinë ku po merret në pyetje.
Ndërsa të plagosurit janë dërguar në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkaq nga dëshmitarë të pranishëm, mësohet se autori dyshohet se është dhe përdorues droge.
Dëshmitarë nga vendngjarja: “E pashë të gjithë ngjarjen, ai djali i erdhi dhe e goditi disa herë, kishte një hanxhar në dorë dhe vetëm godiste. Nuk janë zënë, i erdhi direkt gruas. Ai dukej i droguar”.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe policia e Korçës
"Plagosi me mjet të mprehtë 2 shtetas, kapet dhe shoqërohet në Polici, autori i dyshuar i ngjarjes.
Më datë 19.10.2023, rreth orës 10:00, në lagjen nr. 8, në zonën e Pazarit, Korçë, shtetasi J. M., 36 vjeç, banues në Korçë, ka dëmtuar me mjet të mprehtë, shtetasen A. M., 52 vjeçe dhe shtetasin V. Sh., 60 vjeç, në momentin kur ky i fundit ka ndërhyrë për të neutralizuar situatën, të cilët u dërguan për mjekim në spitalin e Korçës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat e para dyshohet se autori i ngjarjes, vuan nga probleme të shëndetit mendor. 36-vjeçari menjëherë u kap nga shërbimet e Policisë dhe aktualisht ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes", thekson policia.




