Skandali, Progni: Ervin Muça i policisë, i dënuar në Itali për vjedhje makinash e drogë. E fejuara e ka kallëzuar për dhunë
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal në lidhje me kallëzimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), për ndërhyrjen në sistemin TIMS, për “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërhyrje e pa autorizuar”.
Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria i ka kërkuar AMP të marrë në pyetje të gjithë zinxhirin drejtues dhe efektivët bazë që kanë pasur lidhje me rastin konkret.
Lidhur me hetimet që institucioni i akuzës po kryen për këtë çështje, mësohet se Ervin Muça, me detyrë drejtor në departamentin e IT-së, në Policinë e Shtetit, bashkë me shtetasin Klodian Mazari punonjës i AKSH, kanë kryer një ndërhyrje në sistem me pretendimin se do kryenin procesin e backup-it.
I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, eksperti i IT-së Gent Progni bëri deklaratën e fortë se drejtori i ri IT-së në polici Ervin Muça është personazh i botës së krimit në Itali i njohur me nofkën “Zhapiku”.
Gent Progni: Ervin Muça i përfshirë në këtë ngjarje, i njohur me nofkën “Zhapiku” në Itali si hajdut makinash dhe shpërndarës droge, është edhe i dënuar edhe i denoncuar nga e fejuara e tij për dhunë në Itali. Dhe ky vjen dhe bëhet drejtor i lartë në polici.

