PAMJET/ 24 shqiptarë në pranga, “shpartallohet” banda e trafikut të drogës prej 22 milionë eurosh

Autoritetet italiane kanë shkatërruar mëngjesin e sotëm një grup kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës që realizohej mes Shqipërisë, Belgjikës e Italisë i organizuar në 4 grupe kriminale, dy prej të cilëve shqiptarë.

Me urdhër të Prokurorisë së Trentos janë ekzekutuar urdhër ndalimet ndaj 46 personave.

“Ora Neës” ka zbardhur se 24 prej tyre janë shqiptarë. 22 shqiptarë janë ndaluar në territorin italian e 2 në Belgjikë.

Disa prej tyre janë vënë në arrest me burg e disa në arrest shtëpiak e detyrim paraqitjen.

Urdhër ndalimet janë kryer në territoret: Trento, Bolzano, Milano, Padova e Brescia e 35 pesona janë vënë në masë arresti me burg.

Mësohet se hetimet kanë nisur në prill të 2021-it, kur në Bolzano u arrestua një shtetas shqiptar me 100 gramë kokainë.

Investigimet e zhvilluara me ndihmën e Drejtorisë provinciale të Antimafias së Trentos zbardhën përkatësinë e grupit të shqiptarëve me 6 anëtarë, e që furnizoheshin me kokainë e heroinë nga shqiptarë të tjerë në Belgjikë e me marijuanë e hashash në Shqipëri, e më pas përmes rrugës ballkanike transportonin drogën me automjetet të modifikuara drejt Italisë.

Hetimet zbardhën se ky trafik droge menaxhohej dhe nga 3 grupime të tjera trafikantësh, një prej të cilëve ishte përbërë nga 16 shqiptarë e që furnizoheshin me drogë po në Blegjikë e përmes pikës kufitare të Brennero furnizonin me drogë terrritorin e Trentos e zonën përreth.

U vërtetua se ky trafik kryhej përmes dy automjeteve të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike e që transportonin të paktën 30 kg drogë për çdo udhëtim. Ata ndiqnin një strategji udhëtimi për të mos rënë në sy të kontrolleve policore.

Një prej automjeteve ndalonte në afërsi të traut autostradal A 22 e ngarkonte drogën në automjetin tjetër që më pas udhëtonte duke e dorëzuar në pikat magazinuese në Trento, Rovereto e Mori.

Të tre këto baza ishin lokale të njohura në zonat e tyre e të menaxhuara nga anëtarë të grupimeve të këtij trafiku droge.

Dy grupimet e tjera ishin përbërë nga tunizianë, italianë, shqiptarë, irakienë që furnizohehsin nga dy grupet e shqiptarëve.

Përgjiemet ambientale e telefonike kanë vërtetuar lidhjet familjare të ngushta mes drejtuesve të grupeve që konfirmojnë dhe mënyrën operuese të aktivitetit kriminal të shqiptarëve në bazë lidhje gjaku e që është sinjalizuar shumë herë nga Antidroga e Antimafia Italiane.

Po ashtu janë identifikuar dhe apartamentet ku konfeksionoheshin e përgatiteshin dozat e drogës.

Janë dokuemntuar mbi 600 raste trafiku droge për rreth 165 kg. Çdo kg kokainë kokainë nxirrte 5000 doza e përllogaritet se vlera e këtij trafiku është rreth 22 milionë euro.

Operacioni ka cuar në sekeustrimin e 28 pronave të patundshme e 2 lokaleve në pronësi të të arrestuarve e disa llogari bankare.