Betejat e Bashës për partinë në gjykatë, brenda muajit shqyrtohet edhe kërkesa e Gazment Bardhit

Betejat e Lulëzim Bashës për të treguar se ai është drejtuesi de fakto dhe de juro i Partisë Demokratike, nuk janë vetëm në Kuvend, por edhe në gjykatë. Gjatë këtij muaji Gjykata e Tiranës shqyrton kërkesat e Edit Harxhit dhe Gazment Bardhit. Ky i fundit një ditë para rizgjedhjes së Bashës, kërkoi jo vetëm çregjistrimin e ti si kryetar partie, por depozitoi edhe vendimin e Këshillit Kombëtar për anulimin e zgjedhjeve.

Më 11 tetor nis beteja e parë gjyqësore e Lulzim Bashës për mbajtur postin e kreu të Partisë Demokratike.

Në Gjykatën e Tiranës do të shqyrtohet kërkesa e depozituar nga Edit Harxhi, e cila ishte një prej rivaleve të tij në zgjedhjet e 13 qershorit 2021. Pak ditë pas këtij procesi, më 30 qershor 2021 ajo kërkoi pavlefshmërinë absolute të zgjedhjeve brenda partisë.

Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, ajo ka ndryshuar  aktpadinë, dhe më 22 nëntor të vitit të kaluar ka kërkuar çregjistrimin e tij nga regjistri i partive politike të gjykatës si kreu i PD.

Nga padia e Edit Harxhit kaluan javë e muaj dhe betejat brenda demokratëve se kush përfaqëson  PD zyrtare vijonin, Lulzim Basha figuronte ende si kreu i kësaj force politike.

Por kjo nuk është beteja e vetme dhe më e rëndësishmja që Basha do të përballet në gjykatë këtë muaj, për të drejtuar partinë demokratike.

Brenda muajit tetor do të shqyrtohet edhe kërkesa e depozituar nga deputetët mbështetës të Gazment bardhit, më 28 korrik, një ditë para rizgjedhjes së Lulzim Bashës si kryetar i PD.

Në shkresën e depozituar në gjykatën e Tiranës , kërkohet jo vetëm çregjistrimi i Lulzim Bashës nga regjistri i partive politike, por edhe është edhe  vendimi i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike për anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut.

 Paralelisht këtyre proceseve në Gjykatën e lartë është edhe përplasje me atë që njihet si grupi i rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha, të cilët pretendojnë se procesi për rizgjedhjen e liderit historik të demokratëve në krye të PD është legjitim.

E nëse vendimi i gjykatës do të ishte në favor të Sali Berishës, betejat e tjera ligjore të Lulzim Bashës do të bëhen automatikisht të pavlefshme.