Balla: 90% të rasteve të zjarreve, nga fenomeni i zjarrvënies së qëllimshme, më shqetëson ky trend negativ

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla foli sot në Kuvend për situatën e zjarreve në vend. Duke replikuar me deputetët e opozitës, Balla u shpreh se, ka ardhur koha që edhe ndaj këtij fenomeni të mbahet një qëndrim i përbashkët.

Sepse, theksoi Balla, “e vërteta është që në pjesën e tyre më të madhe, pothuajse mbi 90 % të rasteve, zjarret nuk kanë ardhur për shkak të temperaturave të larta, as për shkaqe natyrore, por kanë ardhur nga fenomeni i zjarrvënies. Njerëz të papërgjegjshëm, të cilët deri më tani nuk kanë venë mend, sepse ky fenomen ka ekzistuar, vendosin në mënyrë të papërgjegjshme flakën, qoftë në raste, ndoshta të dukshme, pa dashje, duke pretenduar se po djegin vetëm kashtën e arës së tyre, siç ishte rasti i Patosit, ku një banor, me pretendimin se po digjte ferrat e tokës së tij, i vuri flakën gjithë Patosit, duke rrezikuar industrinë e nxjerrjes së naftës, por edhe duke rrezikuar shumë banesa”.

“Edhe në rastin e Pishëporos dhe Darëzezës, sepse vatrat u diversifikuan, nuk ishte një vatër  e vetme, besoj që jeni njohur me informacionin e Policisë së Shtetit që personi i dyshuar është arrestuar, zjarrvënia ka qenë e qëllimshme”, nënvizoi Balla.

“Besoj që këtu duhet të mirëpresim edhe apelin e opozitës që fatkeqësisht ende nuk e ka bërë një gjë të tillë deri më sot. Aq shumë konferenca për shtyp që bëni, 3 foltorja, 4 Partia Demokratike, edhe nja, nuk e di sa të tjerë, harxhoni një qëndrim të vetëm dhe besoj që më mirëkuptoni, nuk e kam për politikë këtë. E kam si një nevojë që t’i flasim me të njëjtën gjuhë drejtësisë, ku, t’ju them të drejtën, nuk mund të ankohem, të paktën për qëndrimet që kanë mbajtur së fundmi. Por mund të ankohem për qëndrimet që kanë mbajtur në të shkuarën, edhe pse duhet të kishin pasur më shumë referime nga e Policisë së Shtetit që dënimi maksimal për ata që vendosin zjarr, duke shkaktuar dëme kolosale në pronë publike dhe private, ka ardhur koha që të merret edhe në Shqipëri. 15 vite përcakton Kodi Penal ndaj atyre që vendosin zjarrin”, tha Balla.

“Mund t’ju them që personalisht kam parë një sërë rastesh, rasti, do ta quaja më flagrant i qëndrimit të kundërt me atë që është interesi kombëtar ka qenë rasti i një prej zjarreve në Kurbin, ku ‘foltoristë’ të opozitës, jo vetëm që nuk mbajnë krahun e drejtësisë dhe të Policisë, por marrin përsipër që në ‘faqebukun’ e tyre, të marrin në mbrojtje personin e arrestuar nga Policia, me prova – se kishte harruar celularin personi, atje ku kishte venë flakën, – dhe del kryefolkloristi i ‘Foltores’, dhe merr në mbrojtje (kë merr në mbrojtje?!) – personin që ishte ngritur akuza. Dhe kjo është e rëndë. Unë e mirëkuptoj gjithkënd. Mund të keni gjithçka me mua, por jo me Policinë e Shtetit!”, shtoi Balla.

“Unë e kam ndarë mendjen, ditën që kam marrë këtë detyrë. Di ta ndaj fare mirë ku fillon e ku mbaron politikani Taulant Balla dhe ku fillon Ministri i Brendshëm i këtij vendi. Sa herë të më jepet mundësia të flas këtu do ta kërkoj edhe mbështetjen e kolegëve të opozitës, fenomeni i zjarrvënjes duhet goditur. Me ketë kohë, edhe tetori do të jetë një sfidë madhe ende kemi problematika, kemi këtë vit rreth 50 persona të arrestuar për zjarrvënie, numër shumë i madh. Nuk më gëzojnë shifrat, por më shqetëson ky trend negativ dhe kjo mungesë e madhe vetë-ndërgjegjësimi e shoqërisë sonë. E mos harroni kurrë, hidhni një sy tek vendi fqinjë, tek i cili përafërsisht dëmet nga zjarret llogariten në sipërfaqe sa ç‘është e gjithë sipërfaqja e Shqipërisë sonë të dashur”, tha më tej Balla.

Ndaj, shtoi ai, “është shumë e rëndësishme, që veçse të ngremë akuza ndaj njëri-tjetrit, mbaj mend një nga zjarret që rrezikoi edhe vendin e shenjtë të Kishës së Laçit, u çua dhe tha: ‘E ka vënë kryetarja e bashkisë së Kurbinit se do të fshehë histori’. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Ne kemi plot arsye ta akuzojmë njëri-tjetrin për çështje të qeverisjes, por besoj duhet ta lemë politikën në shtëpi apo në selinë e partisë, apo poshtë foltores së partisë, kur vjen puna për këtu, këtu duhet t’i themi gjërat si janë”.

“Në rastin në fjalë, është një zonë kur nga ora 12:00 e drekës deri në 16:30 ka një intensitet ere të pakrahasueshëm me asnjë vend tjetër. Dhe ju e dini që aleati më i madh i zjarrit është era. Në rastin e ishujve të Greqisë, ishte e pamundur të vihej zjarri nën kontroll për shkak të erës”, theksoi ministri i Brendshëm.

“Në momentin që konstatuam që më forcat tona ta kontrollonim, e do të sjellim shumë shpejt në Kuvend ligjin për mbrojtjen nga zjarret me përmirësime të gjithë infrastrukturës dhe ndërveprimit të gjithë institucioneve që kanë përgjegjësi, ne vendosëm ti drejtohemi mekanizmit evropian të mbrojtjes civile në të cilin kemi aderuar në vjeshtën e vitit të kaluar dhe dy avionë të Greqisë erdhën, ata caktoi Brukseli, e natyrshëm që është një betejë që nuk na ka prekur vetëm ne këtë vit”, u shpreh Balla.

“Nuk di ndonjë rast në Evropë që të jetë çuar në parlament një përfaqësues i kujtdo partie dhe të akuzojë partinë tjetër për zjarrvënie, edhe pse vite më parë, se edhe ju keni ndryshuar ka patur raste kur nga partia juaj, kur kolegu im Ilir Meta ishte Kryeministër, Saliu vendoste dinamitin tek shtyllat e tensionit të lartë, besoj nuk e keni harruar”, përfundoi ministri i Brendshëm, Taulant Balla.