Berisha: Rama foli në Spanjë si zëdhënës i Vuçiçit, i bëj thirrje BE-së të ndjekin këta qeveritarë hajdutë
Sali Berisha nga Foltorja e Kuvendi u shpreh se e dënon me forcën më të madhe qëndrimin e Edi Ramës ndaj Kosovës edhe në Spanjë. Ai tha se Edi Rama, në Spanjë foli si zëdhënës i Vuçiçit
Berisha: Para së të përfundoj dua të dënoj me forcën më të madhe qëndrimin e Edi Ramës ndaj Kosovës edhe në Spanjë. Edi Rama, në Spanjë foli si zëdhënës i Vuçiçit. Kemi bërë çdo gjë për Kosovën, për njohje. Një gënjeshtar i paparë. Asnjë njohje, përkundrazi ka dekurajuar njohjet, jo një por disa.
Marrëveshja që votohet përbën një grant të Komisionit Europian, dhuratë bujare në totalin e miliarda eurove që ky institucion i dhanë Shqipërisë dhe shqiptarëve nga paratë e taksapaguesve të BE. Në këtë kontekst, është një rast për të shprehur mirënjohje si ndaj Komisionit, është një rast për të shprehur mirënjohje ndaj taksapaguesve të BE.
Por është një rast për t’i bërë thirrje KE dhe institucioneve evropiane, të qëndrojnë, të ndjekin çdo qindarkë që disbursohet në këtë vend, mbasi hajdutë si këta qeveritarë, nuk gjendet në Europë, ndoshta edhe në botë. Meqenëse këtu u bë një debat, u fol për rrugë, ura, tani unë jam këtu për t’u thënë shqiptarëve: gjatë 9 viteve, janë investuar në punëra të ndryshme dhe shpenzime, 1.1 trilion lekë. Në kursin e sotëm, 10.1 miliardë euro. 10.1 miliardë euro janë vjedhur në masën nga 50 gjer në 90 përqind.
