EMRAT/ Vrasja e Martin Bardhit pranë komisariatit, "furtunë" në zinxhirin drejtues të policisë në Rrëshen e Lezhë

Kur kanë kaluar 4 ditë nga atentati ku u ekzekutua Martin bardhi dhe 3 persona të tjerë u plagosën në një lokal shumë pranë komisariatit të Rrëshenit, dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të autorëve, ka ardhur dhe vendimi Tiranës.

Me firmën e kreut të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku janë shkarkuar nga detyra, shefi i Komisariatit të Rrëshenit Klodian Kondi, dhe nëndrejtori i Policisë së Lezhës, Gentian Berberi.

Njoftimi nga Policia e Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku ka firmosur një sërë urdhrash për emërime/shkarkime nga detyra, me qëllim dhënien e impulseve të reja forcës parandaluese, punës hetimore dhe forcës goditëse, ndaj krimit në përgjithsi dhe krimit të organizuar në veçanti.

•Lidhur me ngjarjen në qytetin e Rrëshenit, ku u vra një shtetas dhe u plagosën disa të tjerë, pas analizës së bërë lidhur me veprimtarinë e strukturave të Policisë së Shtetit, për ndjekjen e kësaj ngjarjeje, si dhe për shkak të mostrajtimit/mosanalizimit të duhur të konflikteve ndërmjet fiseve në Rrëshen, Drejtori i Përgjithshëm ka vendosur:

-shkarkimin nga detyra të zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve të DVP Lezhë Drejtues Alfred Nomani dhe emërimin në këtë detyrë të Kryekomisar Gentian Berberi;

-shkarkimin nga detyra të shefit të Sektorit për Rendin dhe Sigurinë të DVP Lezhë, Kryekomisar Artur Cara;

-emërimin në detyrën e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë të DVP Lezhë, të Kryekomisar Altin Mena;

-shkarkimin nga detyra të shefit të Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisar Paulin Çupi dhe emërimin në këtë detyrë të Komisar Klodian Kondi.

•Gjithashtu, janë bërë edhe lëvizje të tjera, me qëllim përmirësimin e punës së strukturave të Policisë së Shtetit, konkretisht:

-është shkarkuar nga detyra e zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve të DVP Fier Drejtues Artur Shira dhe është emëruar në këtë detyrë Komisar Arjan Hasani;

-është emëruar në detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Berat Kryekomisar Ermir Gërxhani;

-është emëruar në detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Pogradec Komisar Elton Halili.

Policia e Shtetit vijon të jetë maksimalisht e angazhuar, me të gjitha kapacitetet e saj, për përmbushjen e misionit madhor, atë të garantimit të rendit dhe sigurisë publike.

Hetimet

Lidhur me hetimet e ngjarjes, gjatë ditës së djeshme janë marrë në pyetje pjesëtarë të familjes Rrecci, e njohur për hasmërinë me fisin Bardhi, ndërsa po punohet me vëzhgimin e kamerave të sigurisë për të gjurmuar lëvizjet e tyre.

Dyshohet se dy persona kanë qenë në automjetin nga i cili qëlluan duke vrarë Martin Bardhin e plagosur tre të tjerë.

Skena është regjistruar përballë një kamere sigurie të lokalit të vetë viktimës, por autorët kanë qenë të maskuar duke pamundësuar identifikimin.

Dëshmitë e familjarëve të viktimës nga ana tjetër nuk kanë dhënë ndonjë indicie të fortë për hetimin, pasi burime nga Policia e Lezhës thonë se nuk ia kanë drejtuar gishtin e akuzës dikujt veçanërisht.