Balla apel emigrantëve të deklarojnë adresat: Kusht për të votuar në 2025-ën

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla vlerësoi sot se ndryshimet në ligjin “Për shtetësinë” zgjidhin një sërë problematikash.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se ndryshimet që janë sjellë për miratim lehtësojnë dhe heqin disa pengesa të panevojshme ndaj shumë bashkatdhetarëve, që e meritojnë plotësisht pasaportën, por që me kuadrin ekzistues të ligjit për shtetësinë kjo ka qenë e pamundur.

“Vlerësoj edhe amendamentet që deputetët e PS-së kanë depozituar dhe që zgjidhin një sërë problematikash. Një rast i tillë ka të bëjë me aplikimin për të marrë shtetësinë shqiptare të djemve e vajzave shumë të talentuar që mund të japin kontribut për ekipet kombëtare në sport”, tha ai.

Sipas Ballës, “me ligjin aktual nuk kryhen aplikime për pasaportë pa u mbushur mosha 18 vjeç, ndërkohë që talentet në sport bëhen gati shumë më shpejt”.

“Federata Shqiptare e Futbollit ka kërkuar ndërhyrjen në ligj për të mundësuar marrjen e pasaportave për sportistët e rinj apo artistët që vendosin të marrin pasaportën shqiptare me natyralizim”, tha ai.

Gjithashtu përmes amendimeve të tjera, përjashtohen nga testimi i njohurive të gjuhës shqipe dhe historisë së Shqipërisë, aplikantët për shtetësi me natyralizim, të cilët vijnë nga shtetet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare.

Balla solli rastin e shtetasve të Kosovës që sipas tij, e flasin gjuhën shqipe dhe e njohin historinë e Shqipërisë po aq bukur sa ne.

“Do të bëhet përjashtim nga rregulli për të gjithë shtetasit e huaj ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, për të marrë shtetësinë me natyralizim”, tha ai.

Balla e cilësoi këtë një vendimmarrje historike për të çuar para një qasje të rëndësishme që vendi amë ka përkundrejt të gjithë atyre që aplikojnë për të marrë pasaportat me natyralizim.

Një tjetër ndryshim, sipas tij, ka të bëjë me shtetasit me status refugjati që e kanë të vështirë të nxjerrin vërtetime nga vendi i tyre për shkak të rrethanave ku ndodhen dhe kërkojnë të fitojnë të drejtën për t’u pajisur me pasaportë shqiptare.

Po ashtu, Balla u bëri apel të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit që të deklarojnë adresën e tyre.

Sipas tij, deri tani janë mbi 12 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë që e kanë deklaruar adresën e tyre. “Nëse në vitin 2025 mundësojmë votën e emigrantëve dhe ata të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, kjo kalon përmes kësaj. Në votim mund të marrin pjesë vetëm ata që kanë kaluar në një proces të tillë”, shtoi ai.