Përplasja në KS për Ukrainën, Xhafaj: Kemi treguar se qëndrojmë në anën e duhur të historisë. “Zgjedhorja” duhet bërë sa më shpejt
Debati dhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së pasditen e djeshme ku, duke iu përgjigjur kritikave të delegacionit rus, ai theksoi se nëse rusët duan që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të mos fliste, Rusia duhej të ndalonte luftën.
Lidhur me këtë deputeti socialist Etjen Xhafaj në një intervistë për “Ora News” theksoi se koha ka treguar se Shqipëria dhe kryeministri shqiptar kanë qëndruar në anën e duhur të historisë.
“Unë besoj se ai ishte një qëndrim krejt normal i kryeministrit të Shqipërisë. Ka pasur një rreshtim shumë të qartë nga Shqipëria, por edhe të aleatëve tanë për atë që është në fakt një sulm i padrejtë dhe një agresion që i është bërë kufijve të Ukrainës nga Rusia dhe rrjedhimisht Shqipëria gjatë këtij 1 viti e gjysëm, por edhe në 2014-ën me rastin e aneksimit të Krimesë, ka qenë gjatë gjithë kohës në krahun e duhur të historisë”, u shpreh Xhafaj.
I pyetur rreth reformës zgjedhore dhe debatit të sotëm në Kuvend, deputeti socialist theksoi se qëndrimi i Partisë Socialiste ka qenë se kjo reformë duhej bërë sa më shpejt, bazuar edhe nga rekomandimet e OSBE-së.
“Sigurisht siç u pranua nga kolegët e opozitës para nisjes së seancës, u pranua se nga opozita ka pasur dhe vonesa në ngritjen e komisionit dhe kjo u pranua edhe gjatë seancës se ky proces nuk ka ecur përpara”, theksoi deputeti i PS-së, Etjen Xhafaj.


