Debati me ambasadorin rus në OKB, Rama: Moment krenarie për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video të publikuar në rrjetet sociale nga media e njohur botërore Sky News, gjatë debatit të tij me përfaqësuesin e Rusisë në Këshillin e Sigurisë në OKB, ambasadori Vasily Alekseyevich Nebenzy.

Rama drejtoi dje në selinë e OKB në Nju-Jork, Debatin e Hapur të Nivelit të lartë, ku Presidenca shqiptare e Këshillit të Sigurimit drejton një nga sesionet më të rëndësishme me temë “Respektimi i qëllimeve dhe i parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: “Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës”.

Në tryezë mori pjesë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe 50 krerë shtetesh.

“Momenti i djeshëm që gjeti pasqyrim të gjerë në mediet ndërkombëtare dhe u bë viral në rrjetet sociale anembanë; një moment krenarie për Shqipërinë në krye të detyrës nën vështrimin e mbarë botës”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Në video tregohet ambasadori rus, i cili kundërshtoi faktin që presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky të fliste përpara përfaqësuesve të vendeve anëtare.

Kryeministri Rama iu drejtua ambasadorit rus se, “shkelja ka të bëjë me faktin që Zelenseky do të flasë përpara anëtarëve të Këshillit. Ka një zgjidhje për këtë: Ju ndaloni luftën dhe presidenti Zelensky nuk do të mbajë fjalën”.

Ambasadori rus tha se, “dua të tërheq vëmendjen Tuaj, se Ju sot po veproni si kryetar i Këshillit të Sigurimit dhe nuk po flisni në cilësinë tuaj kombëtare si përfaqësues i Shqipërisë. Objektivi juaj është të zhvilloni një takim, siç sanksionohet në Këshillin e Sigurimit në vend që të jepni cilësime, vlerësime politike në cilësinë tuaj si kryetar i KS”.

Kryeministri Rama iu përgjigj se, “sapo iu përgjigjja pasi m’u drejtuat si ‘kryeministri shqiptar’, e pasi vazhduat të thoshit gjëra të pasakta lidhur me atë që është procedura këtu. Nëse nuk doni që t’iu përgjigjem në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë, mos më provokoni si i tillë”.