Punësimi, rritje vjetore me 35 mijë persona në 3-mujorin e dytë, por më pak se gjysma paguan sigurime

Numri i personave me pagë të deklaruar në sigurimet shoqërore arriti në 734,823 persona në tremujorin e dytë të vitit 2022. Gati 15 mijë persona u regjistruan rishtas në skemën e sigurimeve gjatë një viti, me një zgjerim rreth 2.8%.

Gjithsesi, shtesa në punësimin me pagë ishte më e ulët se punësimi i raportuar nga Anketa e Forcave të Punës (treguesi zyrtar i papunësisë). Anketa e Forcave të Punës konsideron të punësuar personat që kanë kryer një punë qoftë dhe një orë, kundrejt një page ose përfitimi gjatë javës së referencës. Java e referencës është java kalendarike nga e hëna në të diel, para datës së intervistës.

Sipas të dhënave nga Anketa e Forcave të Punës (treguesi zyrtar i punësimit dhe papunësisë) në tremujorin e dytë 2023 ishin të punësuar 35 mijë persona më shumë se 3-mujorin e dytë 2022, ndërsa në skemën e sigurimeve u shtuan vetëm 15 mijë, më pak se gjysma.

Tregu i punës në Shqipëri vuan nga një nivel i lartë i informaliteti. INSTAT raportoi se zyrtarisht janë të punësuar 1,323,460 persona, por vetëm 55% e tyre paguajnë sigurime shoqërore.

Në mjaft raste, informaliteti në punësim shkaktohet jo vetëm nga mungesa e kulturës për pagimin e detyrimeve apo incentivave për pagesën e këtyre detyrimeve, por edhe për të shmangur deklarimet apo daljen nga skemat e mbrojtjes sociale, veçanërisht në rastet e punësimit sezonal, sikurse është punësimi në turizëm në zonat bregdetare dhe ato rurale.

Sektori i bujqësisë dhe aktivitetet në zonat rurale përbën kategorinë kryesore ku informaliteti, me gjithë incentivat e përdorura për formalizimin e fermerëve në treg.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë, ose 1 në çdo 4 persona të punësuar në Shqipëri, punon pa pagesë në biznesin e familjes.

Punësimi informal mbetet relativisht më i lartë te të rinjtë, punëtorët me kualifikim të ulët dhe në sektorë të caktuar të ekonomisë, si: bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet e ushqimit dhe të akomodimit.

Ministria e Financave parashikon se tranzicioni i ekonomisë nga bujqësia drejt industrisë dhe shërbimeve (si dhe drejt ekonomisë së gjelbër dhe digjitale) pritet të ulë gradualisht punësimin informal dhe pa pagë fikse.

Megjithatë, përmirësimi i kushteve për punë të denjë, veçanërisht në sektorët jobujqësorë, si dhe ata që lidhen me shëndetin dhe sigurinë në punë, kërkon përpjekje të reja./ Monitor