Miratohet marrëveshja me Sllovakinë për eliminimin e tatimit të dyfishtë
Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi marrëveshjen me Sllovakinë për heqjen e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor.
Sipas zëvendësministres së Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, e pranishme në komision, marrëveshja me Sllovakinë për eliminimin e tatimit të dyfishtë, në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor,ka për qëllim nxitjen dhe garantimin e shkëmbimit ekonomik midis dy vendeve.
Vjero theksoi se në kuadër të procesit të integrimit, Shqipëria po inkurajohet për nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla jo vetëm me vendet e rajonit por edhe më gjerë.
Ajo bëri të ditur se aktualisht Shqipëria ka nënshkruar 45 marrëveshje dypalëshe. Po në kuadër të procesit të negociatave për integrimin në BE, Vjero tha se është rekomanduar të fillohen negociatat edhe me 3 vende të tjera, Danimarkën, Portugalinë dhe Qipron.
Marrëveshja krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridik shqiptarë apo sllovakë, të cilët kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera që bien nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të të dyja shteteve.
Duke pasur aktivitet në të dyja shtetet apo duke qenë rezident i njërit shtet që siguron të ardhura në shtetin tjetër, individi apo personi juridik mund të rëndohet me tatim të dyfishtë, gjë që krijon premise për shmangie të tatimit dhe evazion fiskal.


