"Krahu i punës, pengoi turizmin"/ Kreu i Unionit Turistik: Furnizimi me ujë në bregdet, mbetet problem
Mungesa e krahut të punës ishte një nga problemet më shqetësuese për operatorët turistik, për verën që lam pask. Kreu i Unionit Turistik, Rrahman Kasa, tregon se numri i turistëve të huaj në vendin tone mbetet i lartë, pasi është shtuar turizmi kulturor e historik
Vera që lamë pas ka shënuar edhe nivelin më të lartë të turistëve që kanë vizituar vendin tonë.
Por pavarësisht suksesit, ky sektor hasi edhe në probleme.
Kreu i Unionit Turistik, Rrahman Kasa, vendos në krye të problematikave, mungesën e krahut të punës, kryesisht të stafeve në bare dhe restorante.
Rrahman Kasa: “Vijon të mbetet problemi i shërbimit, mungesa e stafeve, sidomos atyre të kualifikuar. Por edhe mungesa e stafeve në përgjithësi, sepse ka pasur vështirësi të madhe sa i përket kësaj pjese dhe e kanë menaxhuar me shumë vështirësi. Probleme të tjera që lindën nga fluksi i madh ishte edhe kapaciteti i infrastrukturës, sepse numri i madh i turistëve e gjeti të papërgatitur infrastrukturën rrugore për të përballuar një numër të tillë. Disa nga subjektet akomoduese hasën vështirësi të madhe, pasi nuk arritën dot të siguronin stafin e mjaftueshëm”.
Punësimi i të huajve duket se do të jetë zgjidhja në të ardhmen.
Rrahman Kasa: “Ne duhet të marrim të gjitha masat që të sigurojmë një staf qoftë edhe me persona të marrë nga jashtë shtetit që nga viti i ardhshëm”.
Rrahman Kasa evidenton si problematikë edhe furnizimin jo të rregullt me ujë të pijshëm në zonat bregdetare, veçanërisht në Durrës.
Rrahman Kasa: “I gjithë bregdeti i Durrësit, që përfshin vijën nga Durrësi në Kavajë, ka pasur shpeshherë ndërprerje të energjisë elektrike.
Por më problematike ka qenë ndërprerja e ujit, ku disa nga hotelet janë detyruar të zbrazin pishinat për të mbushur depozitat me qëllim që të mos u mungonte uji”.
Kreu i Unionit Turistik më tej shtoi se numri i turistëve të huaj vazhdon të jetë i lartë, pasi Shqipëria nuk vizitohet thjesht për bregdetin, por ka një shtim edhe të turizmit historik dhe kulturor.



