I dënuar më parë për vrasje, arrestohet 36-vjeçari në Kamëz që lëvizte me armë gati për qitje

Një 36 vjeçar është arrestuar në flagrancë pasi lëvizte me armë zjarri me fishek në fole gati për qitje. 36 vjeçari ishte i dënuar më parë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Bëhet fjalë për Erind Mrrukun i cili në 2010 ka vrarë Fabian Nikën. 

Njoftimi i policisë Kamëz:

I dënuar më parë për vrasje, arrestohet 36-vjeçari
Erind Mrruku

Kamëz/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar "Cancelled".

Lëvizte me armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari.

36-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, municioni luftarak, një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara, që iu gjetën 36-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik dhe gjatë kontrollit në banesë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një shtetas që lëvizte i armatosur në rrugën "Nënë Tereza", në Kamëz, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cancelled”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 36 vjeç, banues në Kamëz.

Gjatë operacionit, në rrugën "Nënë Tereza", shërbimet e Policisë kanë ndaluar shtetasin E. M., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje, krehër dhe municion luftarak.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit dhe municionin luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.