Situata në PD, Stafa: Për të ardhur keq, duhet të luftojnë qeverinë. Myzyraj: PD-në e dëmtojnë Berisha e Basha
Të ftuar në Ora News, gazetarët Osman Stafa dhe Isa Myzyraj komentuar zhvillimet më të fundit në kampin e opozitës dhe Partisë Demokratike në veçanti.
Stafa tha se PD është në një situatë për të ardhur keq, pasi po merret me veten, dhe jo me skandalet e përditshme të qeverisë Rama.
Stafa: PD është në një situatë për të ardhur keq, pasi po merret me veten, ndërsa situata që po ndodh me qeverinë do të ishte shumë e shfrytëzueshme nga çdo opozitë në botë. Kjo situatë është shumë e volitshme për Ramën, sidomos me aferën e inceneratorëve. SPAK ka shpallur në kërkim ish zv. kryeministrin e vendit. Apo edhe sterilizimi dhe shumë dosje të tjera. Një opozitë e bashkuar do të kishte shumë leverdi sepse në vendet evropiane skandale më të vogla i kanë rrëzuar. Çfarë duhet të ndodhë më shumë në këtë vend që të rrëzohet një qeveri me gjithë këto skandale? Një opozitë frymëzuese që të ishte gati edhe në rastin e zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërsa Myzyraj shtoi se Bardhi bëri një akt që asnjë prej opozitarëve nuk e bëri në 2 vite, ndërsa theksoi se Basha u “zhduk” për 2 vite.
Myzyraj: Bardhi bëri një akt që asnjë prej opozitarëve nuk e bëri në 2 vite. Ai tha që të takohen në një ditë të caktuar. Përtej këtij takimi çfarë do të ndodhë? A do të mundohet të bashkohet opozita dhe PD-ja për të qëndruar të fuqishme përballë qeverisjes së Ramës. Unë mendoj se janë disa faktorë që e pengojë opozitën për të bërë opozitë. I pari është Sali Berisha si personi shpallur non grata nga SHBA-të. Nuk ka person në tokë që do të mbijetojë politikisht nëse ka kundër SHBA-të. Personi i dytë që e ka dëmtuar më shumë PD-në ka qenë Lulzim Basha. Nuk dihet se cili është plani i Bashës për t’i bërë opozitë Ramës.
