Arrestimi i personave me rrezikshmëri të lartë, Balla nga Durrësi: Askush nuk mund t’i fshihet drejtësisë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nga Durrësi u shpreh se policia do të ketë mbështetjen e domosdoshme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Gjithashtu ai shtoi se edhe në Durrës edhe në Tiranë ka një numër të madh personash që janë në kërkim, duke theksuar se duhet të ketë një plan masash për të garantuar që askush nuk mund t’i fshihet drejtësisë.
Postimi i Ballës:
Çdo ditë në detyrën e Ministrit të Brendshëm po njoh djem dhe vajza, punonjës të Policisë së Shtetit në shërbimet bazë të cilët kanë dedikimin dhe angazhimin e duhur në realizimin e detyrës. Të tillë janë djemtë e Forcës Operacionale Durrës, të cilët po kryejnë çdo ditë goditje të rëndësishme ndaj krimit.
Prandaj sot dua ta përsëris se kush do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë në pozicionin që ka në vijën e këtij fronti të përbashkët, do të ketë mbështetjen time pa rezerva në çdo hap dhe derën time të hapur pa orar për çdo nevojë. Ndërsa kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin për kauzën e përbashkët, do ta ketë të pamundur të qendrojë në pozicionin që ka.