Dardanët gati për Zvicrën, Kosova nis përgatitjet, lojtarët të movituar për duelin
Kosova do të ketë një përballje tepër interesante ndaj Zvicrës, për llogari të kualifikueseve të Europianit të vitit 2024.
Ditën e shtunë, përfaqësuesja dardane do të sfidojë atë helvete, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ të Prishtinës, një duel që pritet me një interest tepër të madh, për faktin se te Zvicra bëjnë pjesë 4 lojtarë me origjinë nga Kosova.
Grumbullimi i futbollistëve ka nisur që prej ditës së hënë, ku ata kanë kryer edhe disa seanca stërvitore, nën urdhrat e trajnerit të ri, Primozh Gliha dhe stafit të tij teknik.
Stërvitja nuk është përqëndruar vetëm në aspektin fizik dhe lojën me top, por është fokusuar më së shumti edhe në aspektin taktik, duke e përgatitur mënyrën se si të përballojnë sfidën me Zvicrën në fushën e lojës.
Ajo që karakterizon kampin e Dardanëve është atmosfera e mirë dhe motivi i lartë i tyre për dy ndeshjet e radhës. Futbollistët janë të fokusuar dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin e tyre në këto duele të rëndësishme për kualifikueset e Euro 2024.
Sa i përket situatës në Grupin ‘I’ kualifikues për Europianin e vitit të ardhshëm, Kosova ndodhet në vendin e parafundit me 3 pikë, duke lënë pas vetëm Andorrën me 1 pikë.
3 pikë ka edhe Bjellorusia e vendit të katërt, ndërsa Izraeli ka 7 pikë, Rumania 8 dhe Zvicra kryeson grupin me 10 pikë.
