Skandal trukimesh në Bolivi, federata pezullon kampionatin dhe kupën
Një tjetër skandal njollos futbollin bolivian. Në orët e fundit është zyrtarizuar pezullimi i të gjitha garave të futbollit në vendin e andeve dhe shkak për këtë janë bërë trukimet e ndeshjeve, me qëllim vendosjen e tyre në bastet sportive dhe përfitimin financiar.
Në një konferencë për shtyp, Federata Boliviane e Futbollit njoftoi anulimin e dy turneve të futbollit profesional të vendit kampionatin dhe kupën.
Një vendim i motivuar nga akuzat për manipulim të ndeshjeve dhe korrupsion. Sipas deklaratës së bërë për shtyp, mbledhja përfundoi me 14 vota pro, 2 vota kundër dhe një abstenim nga Komiteti më i Lartë për zhvillimin e garave profesionale pranë Federatës boliviane.
Më herët, vetë presidenti i Federatës, Fernando Costa denoncoi praninë e një organizate kriminale në futbollin bolivian dhe paraqiti një kallëzim zyrtar në prokurori, me akuzën e mashtrimit të rëndë dhe shoqërimit kriminal. Në këtë rrjet korrupsioni kanë përfunduar lojtarë, drejtues aktualë dhe ish-drejtues, si dhe gjyqtarë.
Në konferencën për shtyp, u njoftuan gjithashtu planet për të krijuar një turne të ri nga tetori deri në dhjetor, për të përcaktuar kampionin dhe nënkampionët për garat ndërkombëtare të vitit 2024. Megjithatë, realizueshmëria e propozimit dhe pezullimi i garave në vazhdim do të jetë subjekt i CONMEBOL, nëse do të marrë miratimin ose jo nga Institucioni më i rëndësishëm i futbollit në Amerikën Jugore.
Mediet vendase kanë publikuar audio-përgjime që demonstrojnë përpjekje për të rregulluar një ndeshje, teksa Federata ka njoftuar shpërbërjen e komisionit të arbitrave.
