Dinamo piketon një emër të rëndësishëm në stolin e 19-vjeçarëve

Një vëmendje të madhe në riorganizimin e klubit blu ka marrë akademia e Dinamos, drejtimi i së cilës i është besuar ish-kapitenit Luan Pinari.

Objektivi është që ekipet e moshave të jenë në nivelin më të lartë, veçanërisht Dinamo U-19, që do të ndërtohet për të qenë kampione.

Dhe kjo skuadër, me shumë mundësi, do të drejtohet nga Dritan Mehmeti, deri në fund të korrikut trajner i skuadrës së parë.

Kur drejtuesit menduan për Luixhi di Biaxhon në stol, u tha se Mehmetit do t’i propozohej të qëndronte brenda klubit.

Fillimisht trajneri nuk u bind, por duket se situata ka ndryshuar dhe serioziteti i treguar nga drejtuesit, por edhe propozimi financiar e kanë bindur ish-trajnerin e Partizanit. /P.S