16 813 nxënës zgjedhin arsimin e mesëm profesional
Deri tani 16 813 nxënës kanë zgjedhur të ndjekin arsimin e mesëm profesional. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësimit bën të ditur se regjistrimet në klasë të dhjetë në shkollë profesionale janë hapur deri më 30 shtator.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka bërë të ditur se do të jepen mbi 2 500 bursa studimi deri në 7 320 lekë për të rinjtë që do të ndjekin shkollën profesionale.
Programi i mbështetjes ka në fokus vajzat që zgjedhin arsimin profesional, nxënësit që regjistrohen në degët prioritare, nxënësit nga familjet në nevojë, nxënësit që banojnë mbi 5 km larg nga shkollat profesionale, ekselentët që kanë mbaruar vitin shkollor paraardhës në arsim profesional me mesatare mi 9 dhe nxënësit nga grupet e veçanta.
Qeveria po ndihmon po ashtu në rritjen e mundësive të punësimit të të rinjve nga shkolla profesionale, duke nxitur bashkëpunimin e ngushtë me kompanitë private.
Shqipërisë i mungojnë punëtorë të kualifikuar në industrinë tekstile, industrinë ushqimore, në vendosjen e skelave të ndërtimit, në mirëmbajtjen e makinerive industriale, në industrinë elektromekanike. Shqipërisë i mungojnë saldatorë, elektricistë, kuzhinierë, guida turistike, gjeologë, minatorë, specialistë ashensorësh, etj.
Në 35 shkolla profesionale në të gjithë Shqipërinë ofrohen 23 drejtime mësimore për t’u bërë profesionist.
