Kalimet në "La Mansh", 21 mijë persona mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar që nga fillimi i këtij viti

872 klandestinë në bordin e 15 varkave të vogla kaluan kanalin e La Manshit nga Franca drejt Anglisë të shtunën, duke shënuar një rekord  për këtë vit.

Nga ana tjetër e kanalit, në të njëjtën ditë u shpëtuan 54 emigrantë nga ekipet franceze, njoftuan autoritetet.

Në total, më shumë se 21 mijë persona kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar përmes La manshit që nga fillimi i këtij viti.

Kjo shënon një rënie të lehtë të ritmit krahasuar me më shumë se 45 mijë vitin e kaluar, sipas raportit të publikuar nga qeveria angleze.

Stina e verës mbetet periudha më e favorshme për këto kalime të rrezikshme dhe muaji gusht shënoi një rekord mujor, me më shumë se 5 mijë e 300 kalime që mbërritën me njëqind varka të vogla.

Pavarësisht shtrëngimit të legjislacionit në Britaninë e Madhe, i cili ndalon emigrantët që kanë mbërritur ilegalisht të kërkojnë azil, qeveria po përpiqet të frenojë këtë fenomen që ka shpërthyer vitet e fundit dhe ka shkaktuar disa mbytje anijesh dhe dhjetëra vdekje.

Qeveria gjithashtu planifikon të dëbojë emigrantët në vendet e tyre ose në vendet e treta si Ruanda, një projekt ende i bllokuar.

Numri i rasteve të prapambetura të azilkërkuesve në Angli ka arritur rekordin me mbi 175 mijë aplikantë në fillim të muajit qershor.