Inskenoi shpërthimin e bombulës/ Djali e vrau babanë në Selenicë, policia: Vuri eksploziv tek soba. Gjendet dhe arsenal armësh
Mato Gllucaj 23 vjeç organizoi vrasjen e të atit duke e inskenuar si një ngjarje aksidentale. Madje vdekja e 56 vjeçarit Durmish Gllucaj vuri në dyshime edhe vetë policinë.
Të premten fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale për shkak të shpërthimit të bombulës së gazit. Por fakti që ngjarja ndodhi në oborr ngriti dyshime se ishte vendosur eksploziv. Lajmi u saktësua brenda pak orësh kur në njoftim sërish u fol për shpërthim të bombulës.
Por hetimet dhe analiza e lëndës plasëse solli sërish akuzën për vrasje të organizuar.
Djali kishte vendosur lëndë eksplozive në sobën me gaz që qëndronte në oborrin e shtëpisë. Veprimi rezultoi fatal për babanë i cili ndërroi jetë rrugës kur po transportohej në spital.
Madje policia thotë se ka sekuestruar edhe mekanizmin elektrik të përdorur për shpërthimi. Shkak për veprimin dyshohet se është bërë dhuna e vazhdueshme që babai ushtronte ndaj tij.
Gjatë kontrollit është zbuluar edhe një arsenal armësh si 25 granata dore difensive, 37 kallëpe tritol (me peshë 400 gr. secila), 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 pushkë, 310 fishekë luftarakë, 12 krehra për armë zjarri, etj


