Hedhja e inerteve në rrugë, Rama nxjerr videon: Policia s’do të falë asnjë që ndot pasurinë tonë të përbashkët

Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj ndotjes së rrugëve me inerte që shkaktojnë makinat që transportojnë materiale ndërtimi. Kreu i qeverisë publikoi një video ku shihet një makinë e cila hedh inerte në rrugë.

Rama u shpreh se, “t’i hedhësh pa kokëçarje mbetjet inerte kështu në rrugë nuk është thjesht papërgjegjshmëri naive, por dashakeqësi për sigurinë e makinave që kalojnë aty, për banorët, për ekipet e pastrimit që duhet të bëjnë një punë të dyfishtë në normalizimin e situatës pas një skandali të tillë”.

Rama theksoi se, “Policia e Shtetit po monitoron terrenin për të gjitha rastet e ndotjes së rrugëve, nga shishja më e vogël deri tek paturpësi të tilla, dhe me dorë të hekurt s’do të falë asnjë që ndot pasurinë tonë të përbashkët”.