"Uji drejt Italisë", Rama: Nuk ka një projekt, ide që daton që para Luftës së Dytë Botërore
Kryeministri Edi Rama informoi sot mbi takimin me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni në Vlorë.
Gjatë një konference për shtyp, Rama iu përgjigj interesimit të gazetarit nëse në këtë takim është diskutuar mbi projektin e transportimit të ujit nga Shqipëria drejt Italisë.
“Nuk ka një projekt, këto janë të gjitha ide. Ideja e ujit daton para Luftës së Dytë Botërore dhe është një ide që e kanë promovuar në vijimësi të gjitha qeveritë italiane, por nuk është bërë asnjë gjë konkrete. Kur flet me një kryeministër të ri të Italisë patjetër që do t’i shtrosh në tryezë dhe do shikojmë si do avancojmë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se shumë shpejt do të zhvillohet në Romë takimi i dytë i Komitetit të Përbashkët të Investimeve dhe do shikojmë si do shkohet më tutje.
“Pastaj kemi Samitin e Procesit të Berlinit këtu në tetor ku kryeministrja e Italisë do jetë prezente. Janë 2 apo 3 takime të tjera në nivel ministrash para takimit të kryeministrave me të gjitha vendet që marrin pjesë në Samit. Do të kemi kohë t’i shohim të gjitha”, tha ai.
