Rama: Sistemi i Kadastrës funksionon, 30% e aplikimeve nga noterët janë bërë gabim, po mësojnë kompjuterin
Pas ankesave se sistemi online i Kadastrës nuk po funksionon dhe se ka vonesa apo gabime në përgjigjet e kthyera, Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke thënë se sistemi funksionon.
Në një konferencë shtypi nga Kryeministria, Rama bëri të ditur se gabimet kanë të bëjnë me aplikimet e bëra nga qytetarët. Kryeministri zbuloi gjithashtu se 30% e aplikimeve të bëra gabim janë nga noterët.
Rama: As nuk diskutohet që sistemi funksionon njëherë e parë e punës dhe sistemi monitorohet në kohë reale. Por jemi në fazën kur sistemi duhet të mësohet nga ata që i përdorin dhe nga ana tjetër dhet të kapërcejë presionin negativ të atyre që kanë humbur pushtetin mbi Kadastrën. Noterë, sekserë, buburreca brenda në Kadastër, nuk ka më pushtet mbi fatin e aplikimit të një qytetari.
Dhe nga analizat e bëra po ju jap një fakt. 30% e aplikimeve të noterëve bëhen gabim. Sistemi ka një të keqe që nuk i futesh dot mik, o ta pranon o s’ta pranon. Pastaj, me sistemin e ri është bërë një operacion masiv i trajtimit të aplikimeve të mbetura. Që do të thotë kthim përgjigje për prapambetjet. Kultura e punës, njerëzit e mësuar ndryshe, ç’orientimi sepse shumë nga ata në Kadastër që e nxirrnin muajin jo me rrogën por me nderet që bënin, krijojnë ngërçin e tyre.
Kjo periudhë ka që vijnë shumë njerëz nga jashtë të mësuar me sistemin e vjetër dhe numri i aplikimeve ka pasur rritje shumë të madhe në periudhën e Gushtit. Në 15 Gusht për shembull, 32,534 aplikime. Me këtë sistem nuk ka rëndësi fare ku je. Mund të aplikosh për titullin e pronësisë nga Amerika. Është perfekt sot funksionimi? Aspak. Pse? Sepse duhet të riaxhustohet gjithë ndërveprimi njerëzor. Kadastra do ketë rrjedhje të numrit të punonjësve ekzistues. Dorëheqjet vazhdojnë atje.

