Rama: Elbasan-Qafë Thanë në korridoret europiane falë Samitit të BE-së, i jep portit të ri të Durrësit rol strategjik
ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
I shoqëruar nga zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Rama pa nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier, ku kanë përfunduar 42% e punimeve.
Rama theksoi se “falë Samitit të Bashkimit Europian në Tiranë hyri më në fund në korridoret europiane pas vitesh të tëra ‘luftë’ dhe së bashku me aksin Durrës – Prishtinë – Nish do t’i japë përfundimisht portit të ri tregtar të Durrësit rolin e shumëdëshiruar strategjik, si nyje lidhëse Lindje – Perëndim për lëvizjen e mallrave”.
Ndërkohë, Kryeministri informoi se po punohet sipas grafikut të përcaktuar për këtë lot të rëndësishëm, i cili është në fazën e përgatitjes për hedhjen e shtresave asfaltike.
“Deri tani janë realizuar 95% e veprave të artit si ura, tombino, bokse. Ka përfunduar mbrojtja lumore dhe janë në përfundim shtresat mbushëse të trupit të rrugës ku në total ka përfunduar 42% e punimeve”, theksoi ai.
