Macron planifikon referendume për të thyer ngërçin në Parlament
Presidenti francez, Emmanuel Macron i tha qeverisë së tij se po shqyrton mbajtjen e një referendumi për të zhbllokuar situatën politike të shkaktuar nga një parlament në të cilin atij i mungon shumica.
Në Këshillin e parë të Ministrave pas kthimit të tij nga pushimet në Elysee, Macron bëri të ditur se javën e ardhshme do të ketë bisedime me të gjithë liderët politikë, përfshirë edhe ata të opozitës, të cilat mund të çojnë në projektligje dypartiake, por edhe në referendume.
Në fillim të këtij muaji, presidenti francez njoftoi iniciativën e madhe politike pas pushimeve verore, me synimin për të rinisur mandatin e tij të dytë dhe të fundit, i penguar nga mungesa e shumicës parlamentare, për çështje kyçe si migracioni, siguria, puna, shërbimet publike apo edhe ekologjia.
Qeveria arriti të negociojë disa ligje të reja me mbështetjen e partive opozitare, por për reformën e pensioneve, masën kryesore të Macron, presidenti iu drejtua pushteteve ekzekutive emergjente, duke shkaktuar një valë protestash.
Tashmë ishte folur për përdorimin e referendumeve, veçanërisht gjatë protestave antiqeveritare të të ashtuquajturve jelekverdhëve në 2018-2019, ku centristët kërkonin të reduktonin numrin e parlamentarëve.
Që nga fillimi i Republikës së Pestë në vitin 1958, presidenti ka përdorur referendumet nëntë herë.
Hera e fundit ishte në 2005 ku u bëri thirrje qytetarëve të shpreheshin për Kushtetutën e re evropiane. Me atë rast presidenti i atëhershëm Zhak Shirak, promotori i referendumit, pësoi një disfatë të zhurmshme.
