Qëlloi në mënyrë të pavullnetshme, policia arreston 23-vjeçarin në Sarandë. I gjen edhe drogë në shtëpi

Policia Sarandë ka arrestuar në flagrancë K.Q 23 vjeç pasi ditën e djeshme qëlloi në mënyrë të pavullnetshme me një pistoletë që e kishte pa leje.

Policia gjeti armën që 23 vjeçari e kishte hedhur pas një pallati.

Në shtëpinë e të riut policia gjeti edhe lëndë narkotike të dyshuara kanabis dhe kokainë. 

Njoftimi i policise:

Sarandë

Në vijim të veprimeve të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku një 23-vjeçar kreu qitje të pavullnetshme me një armë zjarri pistoletë që e mbante pa leje, ndërkohë që qarkullonte me automjet, ju informojmë se


Gjatë kontrollit në zonën në të cilën tentoi të largohej me shpejtësi 23-vjeçari pasi braktisi automjetin, shërbimet e Policisë, pas disa orësh kërkime, bënë të mundur gjetjen e armës së zjarrit pistoletë, të cilën ky shtetas e kishte hedhur mbrapa një pallati, ndëkohë që po ndiqej nga shërbimet e Policisë.


Ditën e djeshme, 23-vjeçari shkaktoi panik në publik pasi kreu qitje të pavullnetshme me këtë armë zjarri ndërkohë që po qarkullonte me automjet. Pas ngjarjes, ai braktisi automjetin dhe tentoi të largohej, por u kap pas disa minutash ndjekjeje nga shërbimet e Policisë.


Në vijim të veprimeve, Policia ushtroi kontroll edhe në banesën e këtij shtetasi, ku u gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, një shumë parash dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. Q., 23 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Sarandë.


Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.