Ancelotti i shqetësuar që në gusht, tri lojtarë të dëmtuar i prishin që në start sezonin
Sezoni 2023-2024 nuk ka nisur mjaft mirë për skuadrën e Real Madrid, që përgjatë miqësoreve amerikane ka regjistruar edhe tri dëmtime të rëndësishme.
Pas të riut turk Arda Guler, kanë ngritur “flamurin e bardhë” edhe dy lojtarë të tjerë: Dani Ceballos dhe Ferland Mendy.
Tri dëmtime që vënë në pikëpyetje sezonin që është ende në hapat e tij të parë, me ekipet që përgatiten për një vit të gjatë e të mbushur me ndeshje. Guler ka pësuar një dëmtim në menisk, ndërsa Ceballos ka një problem fizik.
Edhe dëmtimi i Mendy duket problematik, pasi ka një tronditje të pulpë, që do ta mbajë jashtë fushave të paktën dy javë.
Trajneri Carlo Ancelotti duket i shqetësuar nga këto dëmtime, pasi po humbet një e nga një lojtarët e tij ende pa nisur mirë sezoni.
Të gjitha këto dëmtime kanë ndodhur brenda pak ditësh dhe klubi shpreson që të rikuperojë sa më shpejt, për të qenë gati për ndeshjet e para në kampionat.




