Balluku-Berishës: Shite Shqipërinë me 1 euro, jam e mbijetuar e sistemit të Enver Hoxhës, ti je një biskotë e butë për mua
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u bëri thirrje deputetëve të opozitës të flasin me argumente dhe jo me fyerje.
Teksa replikonte me ish-kryeministrin Sali Berisha, Balluku nënvizoi se opozita ka të drejtën të argumentojë dhe nëse ka fakte ti drejtohet gjykatës, por ofendimet nuk pranohen.
“Qiratë me një euro i ke shpikur ti, me sloganin “Shqipëria një euro”. I vure një tabelë shitje Shqipërisë me 1 euro. Mos hajde këtu të flasësh për “Shqipërinë me 1 euro”. Ti s’më bën asnjë lloj përshtypje. Unë i kam mbijetuar shefit tënd, je një biskotë e butë për mua. Jam e mbijetuar e sistemit të Enver Hoxhës”, tha Balluku, teksa i përgjigjej Berishës, që e akuzonte pa mikrofon.
“Meqë po i drejtoheni zonjës me dorë, nëse ti ke akuza çojini atje ku duhet t’i çoni. Drejtohuni SPAK-ut, por ti s’i drejtohesh dot SPAK-ut, se nuk i afrohesh dot atij institucioni. Ajo po përgjigjet për akuzat që ju i keni bërë. Tregoni respekt. Nëse është e fajshme apo jo, zonja Tabaku, ka kush e vendos. E respektojmë shumë punën e opozitës, patjetër me argumente, hajde flisni, por s’doni të bëni këtë detyrë”, vijoi Balluku.
“Ti, çfarë aftësie vlerësuese profesionale ke? Kush je ti që vlerëson ministrat nga 90-a e sot. Nëse keni ardhur këtu të bëni debat, hajde e bëjmë mbi argumentea, jo ofendime. Kush ka argumente të dali t’i thotë, kush ka fakte t’i çojë para drejtësisë. Boll Mondi (Edmond Spaho po fliste nga vendi), na bëtë analizën profesionale. Akuzat e 1 eurove jua thashë, e ke nisur ti, me sloganin “Shqipëria 1 euro””, vijoi Balluku.
Kreu i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha, duke vijuar akuzat për inceneratorët, citoi edhe një herë Stela Gugallën, teksa shtoi se në krye të piramidës është vetë qeveria.
“Reagoi sepse vetë është stërgugale, reagoi vetë sepse ai raport i Kontrollit të Shtetit e nxjerr atë në krye të piramidës së hajnisë. Reagoi se kjo është ministrja që ndan ndërtimet në 2-3 km për të vjedhur në çdo kilometër. Kjo është ministrja që ndërton 22-24 mln euro rrugën”, tha Berisha.
“Të jesh e bindur ti, që fatin e Arben Ahmetajt do të kesh dhe këtu do të jesh. Po bëre mirë që erdhe për të mbrojtur Edi Ramën. Por ti dhe Edi Rama jeni të pambrojtur. Po çfarë është kjo more, ai thotë se kam gjetur 18 miliardë abuzime me qiratë, kjo vjen e bën avokatinë e saj. Po se të djeg ty se edhe ti duhet të kesh vjedhje të tmerrshme edhe me qiratë, ndoshta”, shtoi Berisha.
“Por kjo është e cituar aty, çfarë do të thotë kjo. Ka ardhur një raport këtu apo jo, ai raport është me shifra, është me miliarda, ai raport flet për 138 miliardë. Po merre e shikoje njëherë, me të gjitha shpërdorimet, të gjitha format. Po sa është me Tatimet e doganat, më thoni ju mua, është 108 miliardë. Po se e paskam gabim, apo se nuk ju intereson. Po sa është tek pylli orbital, sa janë 1 milionë pemë të Erion Veliajt. “, përfundoi Berisha.
Kuvendi është në seancën e tij të fundit në këtë sesion parlamentar.
