Shehi dhe Hasani optimistë: Tirana mund t'ia dalë! (VIDEO)

Në konferencën e shtypit në Gjeorgji ku Tirana do të sfidojë Dinamon e Batumit pas barazimit të ndeshjes së parë, trajneri Orges Shehi u shpreh optimist se skuadra nuk do të bëjë më gabimet e takimit të sfidës së parë. 

Orges Shehi:

shtë një ndeshje e barabartë dhe shanset janë 50 me 50. Jam shumë i kënaqur me kontigjentin qe kemi. Pak rëndësi ka kush luan titullar. Më vjen mirë që në ndeshjen e parë lojtarët që hynë nga stoli bënë ndryshimin. Mund të bëj disa ndryshime për ndeshjen e nesërme por e rëndësishme është sjellja e lojtarëve në fushën e lojës dhe jo emrat që do të zbresin në fushë".

 

Grupi është i plotë. Kemi në dispozicion Kaina-n ndërsa Regi Lushkja mund ta nisë që nga minuta e parë. Nga Tirana e vjetshme, në ndeshjen e parë ishin plot 6 lojtarë të rinj, karakteristikat mund të ndryshojnë. E thashë që situatat mund të ndryshojnë edhe në momente loje, mund të jemi në moment ekuilibri, pritës, për të qenë të rreshtuar e për të mos i dhënë mundësi kundërshtarit. Por kërkojmë të jemi të logjikshëm në nisjen e aksioneve, shpresojmë që armën e fortë që kemi, tranzicionin, ta kemi edhe në ndeshjen e nesërme”, tha Shehi para gazetarëve.

 Ne jemi klubi më i titulluar në Shqipëri dhe ky duhet të jetë frymëzim për ne në ndeshjen e nesërme. Kjo përballje mund të shkojë edhe përtej 180 minutave. Duke i vlerësuar dhe duke qenë i përqendruar te situata, shanset për kualifikim rriten. Në një takim ku skuadrat luajnë pas një rezultati të barabartë, të dy skuadrat do të kenë mundësitë e veta që do të mundohen t’i shfrytëzojnë sa më mirë".

 Florent Hasani:

"Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne por jam optimist se mund ta kalojmë. Kemi mësuar nga gabimet e ndeshje së kaluar. Të gjithë janë optimistë por duhet të jemi të përqëndruar dhe të bëjmë atë që na ka kërkuar trajneri. Do të japim 100 %.

 

Mendoj se kur ke lojtarë të rinj në ekip duhet pak kohë. Çdo ditë e më shumë po e njohim njëri-tjetrin. Besoj se me çdo lojtar të ri kemi komunikimin pozitiv. I njohim pak a shumë cilësitë që kanë në fushë dhe besoj se do të bëjmë më mirë nga ndeshja e parë".