PAMJET/ Taulant Balla betohet te Presidenti Begaj si Ministër i Brendshëm. Çuçi nuk shkon, por ja kush mori pjesë në ceremoni
Dy ditë pasi mori miratimin nga Parlamenti, Taulant Balla do të betohet sot para Presidentit të Republikës si Ministër i Brendshëm.

Ceremonia nisi në orën 11:00 në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, si dhe disa prej deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, grup të cilin Balla e drejton prej vitesh tashmë.
Në ceremoni ra në sy mungesa e paraardhësit të tij, Bledi Çuçi, apo e Sekretarit të Përgjithshëm të selisë rozë, Damian Gjiknuri.
Por pavarësisht se Çuçi nuk shkoi në Presidencë, i veshur me këmishë të lëshuar, ai ishte tek dera e Ministrisë së Brendshme për të pritur pasardhësin e tij.
CEREMONIA
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, leximit të dekretit të emërimit dhe formulës së betimit, ministri Balla u betua mbi Kushtetutë para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Presidenti Begaj i dorëzoi dekretin e emërimit Ministrit të Brendshëm, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe shumë të rëndësishme.
Kuvendi miratoi dy ditë më parë dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Taulant Ballës në postin e ministrit të Brendshëm, me 75 vota pro, 16 kundër, 1 abstenim.
Presidenti Begaj dekretoi më 10 korrik emërimin e Taulant Ballës, ministër të Brendshëm.
Balla zëvendëson në këtë detyrë ish-ministrin Çuçin, i cili u shkarkua nga detyra.
VOTIMI I KUVENDIT
Kuvendi miratoi të enjten dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Taulant Ballës në postin e ministrit të Brendshëm, me 75 vota pro, 16 kundër, 1 abstenim.
Balla është një ndër zërat më të fortë të mazhorancës në Kuvend, ku ka përballuar pothuajse i vetëm betejat me opozitën, të cilat shpesh kanë përfunduar edhe ne gjykatë dhe Balla ka dalë fitues për akuzat ndaj tij.
JETESHKRIMI
Karrierën politike, Taulant Balla e nisi ne vitin 2004, ku shërbeu si këshilltar i kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano. Ai u zgjodh për herë të parë deputet i Librazhdit në vitin 2005, në moshën 28 vjeçare dhe prej asaj kohe nuk ka munguar në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Taulant Balla u emërua kryetar i grupit parlamentar socialist.
Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partise Socialiste post të cilin e mbajti deri pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri.
Balla është deputet i Qarkut te Elbasanit dhe drejtues politik për Partine Socialiste në Qarkun Fier. Më herët ka drejtuar qarkun e Elbasanit ku ka marrë edhe rezultatin më të mirë elektoral në zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2021 si për socialistët por edhe vetë si deputet rezultoi më i votuari në rang kombëtar.




