Ahmetaj në arrati, Paloka: Kërcënimi i tij tregues se s’ka marrëveshje. Duhet të jesh naiv të besosh se Rama nuk ka gisht

Deputeti demokrat Edi Paloka në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” dhënë për moderatoren Beti Njuma ka komentuar për votimin e sotëm në Kuvend, i cili i hapi rrugë Prokurorisë së Posaçme, SPAK për arrestimin e ish-numrit 2 të Qeverisë, Arben Ahmetaj, i akuzuar për korrupsion lidhur me çështjet e incineratorëve.

Në argumentimin e tij, Paloka tha se SPAK-u qëllimisht ka lënë jashtë hetimeve të incineratorëve dy aktorët kryesorë të kësaj çështjeje, kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

“Skema është e njëjtë, por kërcënimi i Arben Ahmetajt duket se ndryshe nga ç’bëri Saimir Tahiri nuk e ka pranuar një marrëveshje me Edi Ramën dhe kjo duket se marrëdhënia mes tyre është më e tensionuar.

Ahmetaj po jep të njëjtat mesazhe që kanë dhënë dhe të tjerët. Ai nuk flet për hir të drejtësisë, por për të kërcënuar Ramën dhe për të krijuar kushtet për të mbrojtur veten.

Por Ahmetaj është kokë e këmbë brenda në këtë aferë. Pasi duhet të jesh fare naiv të besosh që në një ngjarje të tillë që ka nisur që në 2014-ën nuk ka dorë vetë kryeministri Rama.

Dhe këtë e ka deklaruar edhe vetë Arben Ahmetaj”, u shpreh ndër të tjera Paloka.