Shiten pallatet e konfiskuara: 25 ndërtesa të bllokuara, 15 milionë euro për 9 objekte
15 milionë euro do të paguhen për 9 pallate të konfiskuar për shkak të ndërtimeve pa leje. Në diskutimin e ligjit në komisionet parlamentare është theksuar se do tu njihet pronësia personave që kanë paguar kontratën, ndërsa pjesa tjetër do të shitet me vlerë tregu
Në apartamentet e konfiskuara për shkak se ndërtimet janë pa leje ose me shtesa, individëve ose subjekteve që kanë kontratë do tu njihet sipërfaqa e paguar.
Më pas objekti do të kalojë në shitje. Në diskutimin e projektligjit në komisionin e ekonomisë u bë e ditur se në total janë 25 ndërtesa, ku tashmë janë bërë shitjet e para.
"Kemi 25 objekte të konfiskuara në vende të ndryshme të Shqipërisë. Tani kemi vetëm 9 kërkesa për parablerje të objekteve dhe fondi i grumbulluar deri tani për këto subjekte që kërkojnë parablerje është rreth 15 mln euro nga të cilat 10% janë paguar sipas procedurës dhe pjesa tjetër e mbetur po paguhet në vazhdimësi," tha sekretarja e ministrisë.
Për opozitën nisma e qeverisë është klienteliste. Madje ajo akuzoi se shumë projekte bëhen nga vetë bizneset në zyrat e shtetit duke sjellë në vëmendje dosjen e incineratorëve.
"E kam firmosur VKM për ta çuar në GJK më ndërgjegje të plotë që qeveria që ka dhënë lejet e ndërtimit ka lejuar dhe nuk e kontrolluar territorin," tha ajo.
Ligji për konfiskimin e pallateve pa leje u kundërshtua nga opozita në gjykatën kushtetuese. Por në vendim përfundimtar institucioni më i lartë i drejtësisë i dha të drejtë qeverisë.