Guvernatori i BSH-së, Sejko: Ekonomia rritje në 3% në 2023-shin

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se, “përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe  parashikimet tona janë që ajo të arrijë në nivelin 3 % deri në fund të 2023-shit”.

Në konferencën sot për mediet, Sejko theksoi se, sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 2.7 % në tremujorin e parë të vitit.

Sipas tij, rritja ekonomike pati një bazë të gjerë, si në terma sektorialë ashtu dhe në terma të përbërësve të kërkesës agregate, ndonëse ai ishte më i spikatur në sektorët e ndërtimit e të industrisë dhe në përbërësin e konsumit familjar.

Në aspektin makroekonomik, vijoi Guvernatori, rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka pasqyruar pozicionin e shëndetshëm të bilanceve financiare të sektorit privat, kushtet ende të favorshme të financimit dhe rritjen e eksportit të shërbimeve shqiptare, e kryesisht të atyre të turizmit. Nga ana tjetër, politika fiskale ka pasur një ndikim neutral ndërkohë që bilanci i shkëmbimeve të mallrave me jashtë ka dhënë një ndikim negativ.

Sejko tha se, “të dhënat e disponuara për tremujorin e parë na sugjerojnë vijimin e trendit të rritjes së punësimit e të pagave, duke mbështetur zgjerimin e fuqisë blerëse të familjeve por dhe duke mbajtur të larta presionet e brendshme inflacioniste”.

Ai theksoi se, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë ka ndihmuar në funksionimin e qetë të tregjeve financiare dhe ka krijuar kushte financiare më të përshtatshme për kontrollin e inflacionit.

“Aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të rritet gjatë tremujorëve në vijim. Ritmi i rritjes pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë dy viteve të ardhshme dhe t’i kthehet niveleve historike në afatin e mesëm e të gjatë. Ky parashikim faktorizon shëndetin e mirë financiar të sektorit privat dhe atij bankar të ekonomisë shqiptare, perspektivën pozitive të tregut të punës, përmirësimin e besimit të familjeve dhe bizneseve, si dhe praninë e një ambienti financiar ende akomodues”, deklaroi Sejko.