Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare: Ekonomia shqiptare zgjerim me 3.3 %

Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW) i qëndron parashikimit të pranëverës për rritjen e ekonomisë shqiptare.

Në raportin e fundit të projeksioneve të verës, për vitin 2023 WIIW parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë do të zgjerohet me 3.3 % këtë vit, e nxitur kryesisht nga sezoni turistik.

Këtë parashikim WIIW kishte edhe në studimin e pranverës. Për vitin 2024 dhe 2025 WIIW parashikon rritje prej 3.8 % dhe 4 % përkatësisht.

Rritja ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2023 rezultoi 2.72 %. Qeveria shqiptare pret që rritja ekonomike të vazhdojë, dhe për këtë vit të jetë 3.7 %, e nxitur nga sezoni turistik, flukset hyrëse të IHD-ve dhe konsumi i fortë i familjeve, si pasojë e rritjes së të ardhurave reale.

Nga raporti i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare rezulton se Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova do të kenë rritjen më të lartë ekonomike në rajon për vitin aktual dhe dy vitet në vijim.