Guvernatori Sejko: Inflacioni ka pësuar rënie, 4.7% në muajt prill-maj, jemi në monitorim të tregut

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka mbajtur ditën e sotme konferencën e përmuajshme për mediat. Gjatë fjalës së tij, Sejko ka thënë se nuk ndryshon norma e interesit.

Ndër të tjera guvernatori tha ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në gjysmën e parë të vitit, ndonëse me ritme më të ngadalta në krahasim me periudhën paraardhëse.

Po ashtu ai ka shtuar se inflacioni ka ardhur në rënie, duke pasqyruar më së shumti rënien e inflacionit të importuar. Sot, në datën 5 korrik 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

"Informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në gjysmën e parë të vitit, ndonëse me ritme më të ngadalta në krahasim me periudhën paraardhëse. Në të njëjtën kohë, inflacioni ka ardhur në rënie, duke pasqyruar më së shumti rënien e inflacionit të importuar.

Në tërësi, këto zhvillime kanë qenë në linjë me trendet aktuale në ekonominë botërore dhe në përputhje me pritjet tona. Po ashtu, përditësimi i parashikimeve sugjeron se këto tendenca do të jenë të pranishme edhe në të ardhmen: aktiviteti ekonomik në vend pritet të vazhdojë të rritet gjatë tremujorëve në vazhdim ndërsa inflacioni pritet të vijojë rënien graduale dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Megjithatë, Këshilli konstatoi se presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta dhe përmbushja e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve mund të kërkojë një normalizim të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen.

Inflacioni shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë, duke regjistruar një vlerë mesatare prej 4.7% në muajt prill-maj. Kjo dinamikë është diktuar nga rënia e inflacionit të çmimeve të ushqimeve të përpunuara, të naftës dhe të produkteve të lidhura me të, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës është shfaqur relativisht i qëndrueshëm.

Në aspektin makroekonomik, trendi rënës i inflacionit pasqyroi ecurinë e ngjashme të këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros, si dhe efektet e bazës së lartë krahasuese. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten të larta, në pasqyrim të kërkesës së lartë për mallra e shërbime, të kushteve të shtrënguara në tregun e punës dhe të rritjes së shpejtë të pagave e të kostove të punës.

Sipas të dhënave të Instat-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 2.7% në tremujorin e parë të vitit, duke ardhur në ngadalësim krahasuar me tremujorin paraardhës dhe duke qenë në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Rritja ekonomike pati një bazë të gjerë, si në terma sektorialë ashtu dhe në terma të përbërësve të kërkesës agregate. Në të njëjtën kohë, ngadalësimi i ritmit të rritjes kishte një bazë relativisht të gjerë, ndonëse ai ishte më i spikatur në sektorët e ndërtimit e të industrisë dhe në përbërësin e konsumit familjar.

Në aspektin makroekonomik, rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka pasqyruar pozicionin e shëndetshëm të bilanceve financiare të sektorit privat, kushtet ende të favorshme të financimit dhe rritjen e eksportit të shërbimeve shqiptare, e kryesisht të atyre të turizmit. Nga ana tjetër, politika fiskale ka pasur një ndikim neutral ndërkohë që bilanci i shkëmbimeve të mallrave me jashtë ka dhënë një ndikim negativ.

Ndonëse në ngadalësim, zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës agregate ka pasqyruar në një shkallë të lartë shfrytëzimin e kapaciteteve në ekonomi. Ky fenomen mbetet më i spikatur në tregun e punës. Të dhënat e disponuara për tremujorin e parë na sugjerojnë vijimin e trendit të rritjes së punësimit e të pagave, duke mbështetur zgjerimin e fuqisë blerëse të familjeve por dhe duke mbajtur të larta presionet e brendshme inflacioniste."