Regjisorja e TKOB-së përgatit aktorët e Teatrit të Varnës, në Bullgari, për operën "Aida"

Asistent-regjisorja e operës “Aida”, Ada Gurra, prej ditësh ndodhet në Varna për të përgatitur 2 kaste artistësh, të cilët do të interpretojnë tingujt Verdian, me regji, skenografi dhe kostumografi të të madhit Franco Zeffirelli.

Opera e cila në Shqipëri theu çdo rekord shikueshmërie, e tashmë do të jehojë suksesin e saj edhe në Bullgari, pritet të ketë një numër të lartë artdashësish vendas e të huaj.

“Ky bashkëpunim që tejkalon kufijtë e rajonit, fuqizon lidhjet artistike mes 2 vendeve dhe ju mundëson artistëve të tejçojnë talentin e tyre në një dimension më të gjerë artistik”, thuhet në njoftimin e TKOB-së.

Ditë më parë TKOB bëri me dije se një nga artistet e saj, mexosopranoja Ivana Hoxha do të performojë në Teatrin e Varnës. Artistja shqiptare do të interpretojë rolin e Amnerisit, tek opera “Aida”.

Interpretimi në skenën e Teatrit të Varnës, vjen pas debutimit të saj të shkëlqyeshëm në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Vënia në skenë e operës të mirënjohur të Giuseppe Verdi-t, “Aida” ishte një sukses për TKOB. Mexosopranoja Ivana Hoxha interpretoi në kastin e parë të kësaj opere, e cila u vu në skenë në muajin qershor, sipas regjisë së të famshmit Franco Zeffirelli.