Gjirokastër, çelet ekspozita "Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve"

“Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve” titullohet ekspozita e çelur në Gjirokastër, në kuadër të edicionit të XI-të të Festivalit Folklorik Kombëtar.

Kjo ekspozitë u hap nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe bashkinë e Gjirokastrës.

Në mjediset e pazarit të qytetit, në pikëtakimin e organizimeve të shumta festive, dashamirës të artit dhe të kulturës, vizitorë të huaj, si edhe qytetarë të shumtë, patën mundësinë të vrojtonin imazhe që shpalosnin larmishmërinë dhe veçantitë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

Mes materialeve të ekspozuara, gjendeshin imazhe të figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare); kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e veriut, të Shqipërisë së mesme; Shqipërisë së jugut, kostumeve popullore të trevave të shqiptarëve jashtë trojeve dhe kostumeve popullore nën petkun fëmijëror (kostume të vajzave).

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës çeli siparin më 24 qershor dhe do të përfundojë më 2 korrik. Ky festival vjen pas 8 vitesh mungesë, në kuadër të angazhimit për të promovuar pasurinë folklorike kombëtare.

Në një kohëzgjatje prej 8 netësh grupet folklorike kanë interpretuar potpuritë e këngëve të djepit, të dasmave, të gëzimeve; vallet e ritet si dhe kanë prezantuar kostumet popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe nga diaspora.