Vendimi i Strasburgut për vonesat në gjykim do të ndikojë në çdo proces gjyqësor që do të ankimohet
Strasburgu nuk e konsideron Reformën në Drejtësi shkak për vonesa në shqyrtimin e dosjeve.
Sipas avokates Etleva Haka, vendimi për çështjen “Bara dhe Kola kundër Shqipërisë” që nuk njeh, si të arsyeshme, kalimin e afateve të shqyrtimit, për shkak numrit të lartë të vendeve të lira të punës në radhët e gjyqtarëve nga Reforma në Drejtësi konsiderohet precedent për drejtësinë shqiptare.
Znj. Haka thekson se ky vendim pritet të shtojë numrin e rasteve të dosjeve administrative dhe penale që do të ankimohen pranë Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ankimet pranë Strasburgut do të rrisin koston financiare të buxhetit të shtetit për dëmshpërblim.
Për rrjedhojë, avokatja Etleva Haka rekomandon ndërhyrjen emergjente nga ligjvënësit, vendosjen e prioriteteve për stokun e dosjeve dhe zgjidhjen e problematikës.
Çfarë ka ndodhur në Shqipëri me proceset gjyqësore që nga viti 2015 kur nisi Reforma në Drejtësi?
Përpara Reformës në Drejtësi, çështjet gjyqësore të marrëdhënieve të punës nuk zgjasnin më shumë se dy vite në të dyja shkallët e gjyqësorit. Gjykata e Apelit Administrativ është duke shqyrtuar çështjet e vitit 2014, pra kanë kaluar 9 vite nga koha kur është paraqitur ankimi në apel.
Këto 9 vite, për një nëpunës të administratës shtetërore, përkthehen në 9 vite që shteti duhet të paguajë pagën e nëpunësit të liruar padrejtësisht dhe sigurimet shoqërore dhe në të njëjtën kohë, paguan edhe pagën e nëpunësit që ka zëvendësuar.
Por nuk mbaron këtu, sepse secili prej këtyre individëve të prekur nga tejzgjatja e pajustifikuar e procesit gjyqësor gëzon të drejtën të kërkojë dëmshpërblim nga gjykata në bazë të nenit 399 /3 (Shpërblimi i drejtë për shkeljen e afatit të arsyeshëm do të konsiderohet njohja e shkeljes, çdo masë e marrë për të përshpejtuar procedurat e hetimit, gjykimit të çështjes dhe të ekzekutimit të vendimit, dhe/ose shpërblimin e dëmit, sipas përcaktimeve të këtij kreu. 2. Cilido që është i përfshirë në një proces ligjor, në cilësinë e palës në proces, ka të drejtë shpërblimin e drejtë, siç përcaktohet nga ky nen).
Në të gjitha rastet e paraqitua në Gjykatën e Lartë për konstatimin e shkeljes së gjykimit të drejtë brenda afateve të përcaktuara nga ligji, Gjykata e Lartë ka mbajtur qëndrimin se “përbën një fakt të njohur botërisht se Reforma në Drejtësi ka shkarkuar/pezulluar një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh në Republikën e Shqipërisë.
Ky proces natyrshëm ka krijuar kosto për qytetarët në tejzgjatjen e afateve për gjykimin e çështjeve gjyqësore. Këto vështirësi janë proporcionale në raport me të mirën e përgjithshme që padyshim krijon procesi i reformës”.
Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, një pretendim të tillë të gjykatës shqiptare për vonesat në gjykim, e ka quajtur nul të papranueshëm sipas vendimit të çështjes “Bara dhe Kola kundër Shqipërisë”.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut më 28 shkurt 2022 u ka hapur rrugën të gjitha gjykimeve që do të shkojnë nga Shqipëria në Strasburg, për të kërkuar dëmshpërblim për arsye të tejzgjatjes së proceseve gjyqësore.
Në çështjen “Dumont vs. Belgjikë”, datë 28 prill 2005, GJEDNJ lidhur me vonesat e shkaktuara në gjykim me pretendimin e mbingarkesës është shprehur se “Shtetet kontraktuese mund të zgjedhin vetë hapat që do të ndjekin në përshtatjen e sistemeve gjyqësore të tyre për të përmbushur kërkesën ligjore për afat të arsyeshëm, por nëse autoritetet nuk marrin masa të përshtatshme, shtetet duhet të pranojnë përgjegjësinë, sepse është parë në jurisprudencë se mbingarkesa kronike e çështjeve përpara një gjykate nuk përbën justifikim të vlefshëm për kohëzgjatjen e procesit.
“Ky parim është zbatuar për proceset përpara gjykatave të larta, si në çështjen “Vergos vs. Greqi”, datë 24 qershor 2004, ku procesi përpara Gjykatës së Lartë Administrative kishte zgjatur katër vjet e njëmbëdhjetë muaj dhe në çështjen “Paummel vs. Gjermani”, datë 1 korrik 1997, ku vetëm procesi përpara Gjykatës Kushtetuese federale kishte zgjatur pesë vjet e thuajse tre muaj.
Lidhur me qëndrimin që GJL ka mbajtur në raste specifike se kohëzgjatja e proceseve gjyqësore ka ardhur si pasojë e reformës në drejtësi, GJEDNJ në çështjen “Sahiner vs. Turqi”, datë 25 shtator 2001.
Ka mbajtur një qëndrim të prerë sa i takon justifikimit të vonesave të paraqitur nga Turqia. Turqia, si palë e lartë kontraktuese në këtë aktgjykim, pretendoi se vonesa prej tetë vite në të dy shkallët e gjykimit kishte ardhur si pasojë e reformimit të sistemit të drejtësisë në Turqi, kalimit të kompetencave nga gjykata ushtarake në atë civile.
GJEDNJ nuk e ka pranuar këtë justifikim të shtetit turk dhe në vendimin e kësaj çështjeje është shprehur se “neni 6, pika 1, vendos mbi Shtetet Kontraktuese detyrimin për ta organizuar sistemin gjyqësor në atë mënyrë që gjykatat e tyre të mund t’i përmbushin të gjitha kërkesat përfshirë edhe detyrimin për t’i dëgjuar çështjet brenda një afati kohor të arsyeshëm”.
GJEDNJ, në të gjitha aktgjykimet e saj, ka theksuar se në çështjet “me përparësi” përfshihen: Mosmarrëveshjet e lidhura me marrëdhëniet e punës, që kanë të bëjnë me largimet nga puna, rikuperimin e pagave apo ushtrimin e profesionit, ku GJEDNJ konsideron se gjykata për këto lloj çështjesh duhet të tregojë korrektesë të veçantë.
Në aktgjykimin e çështjes “Lechelle vs Francë”, datë 8 qershor 2004, GJEDNJ është shprehur se “çështjet e lidhura me mosmarrëveshjet mbi marrëdhëniet e punës janë çështje me rëndësi kritike për punën dhe jetën e individëve dhe duhej të ishin zgjidhur me përshpejtim të veçantë”.
Në referim me aktgjykimet e çështjeve “Obermeier – Austri” (29 qershor 1990), “Buchholz – Gjermani” (6 maj 1981) dhe “X – Francë” (31 mars 1992), GJEDNJ është shprehur se “çështja ka pasur të bëjë me procedurën e largimit nga puna të paditësit dhe se interesat e tij kanë kërkuar një korrektesë të jashtëzakonshme nga ana e gjykatave të brendshme” (shih edhe çështjen “MianoWicz – Gjermani” (nr.2), vendim datë 11 qershor 2009 dhe “Petko Ivanov – Bullgari”, vendim datë 26 mars 2009), GJEDNJ mban qëndrim të konsoliduar dhe sidomos për çështjet e punës GJEDNJ është shumë e ndjeshme dhe për çdo rast që do të paraqitet përballë kësaj gjykate për dëmshpërblim për vonesat e pajustifikueshme do të këtë si pasojë dhënien e së drejtës së dëmshpërblimit për vonesën në gjykim, e cila sigurisht përveç kostove të sipërcituara, do të jetë një kosto shumë e rëndë për buxhetin e vendit.
Në opinionin tuaj, pse është krijuar gjithë ky stok i dosjeve të pashqyrtuara në sistemin gjyqësor?
Për mendimin tim ka ndërhyrje të politikës që nuk zhvillohen proceset gjyqësore, pasi të gjitha dosjet e depozituara në gjykatë për lirim të padrejtë nga detyra janë të fituara.
Rezulton se kemi çështje për të cilat është hedhur shorti i shqyrtimit në vitin 2020, por nuk është bërë ende seanca paraprake e gjykimit. Para vitit 2018, për të gjitha dosjet e punësimit, shqyrtimi në Gjykatën e Apelit mbyllej brenda 1 viti.
Kjo nuk po ndodh më, pasi pas vetting-ut në gjyqësor është krijuar mendësia “për ta pasur mirë me politikën”. Drejtësia nuk është më e pavarur. Gjyqtarët janë të frikësuar nga vetting-u.
Shumica e dosjeve kanë mbetur pa u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit. Shumë pak prej tyre po arrijnë të shkojnë në Gjykatën e Lartë. Rekurset në Shkallën e Lartë mund të zgjasin nga 3 deri në 12 vjet.
Në vitin 2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor mori vendim që gjykatat t’i kenë prioritet në kalendarët e shqyrtimit të dosjeve çështjet e marrëdhënies së punës dhe të pensioneve. Pra ka pasur një përpjekje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për avancimin e afateve të gjykimit, por që praktikë nuk po zbatohet.
Nga ana tjetër, edhe harta e re gjyqësore është një dështim për respektimin e çështjeve të së drejtës kushtetuese dhe të Konventës së të Drejtave të Njeriut. Harta e re gjyqësore është theksuar në vijimësi nga avokatët që do të ulë aksesin në drejtësi për një pjesë shumë të madhe të popullsisë, pasi mbyllja e apeleve të juridiksionit të përgjithshëm dhe Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë duke i përqendruar në Tiranë dhe Lushnjë i largon shumë fizikisht nga jugu dhe veriu i vendit.
Këto gjykata gjykojnë mosmarrëveshjet mes individit dhe administratës. Tashmë qytetarët për masa administrative (gjoba) të inspektorateve të ndryshme IKMT, mjedisit, AKU, Policia e Shtetit etj., do duhet të iniciojnë gjyqe në Lushnjë për jugun dhe në Tiranë për veriun e vendit.
Çfarë do të ndodhë në këto raste me qytetarët p.sh. një qytetar në Tropojë është gjobitur nga AKU një gjobë 40 mijë lekë. Qytetari duhet të ngrejë padinë dhe ta paraqesë në Gjykatën e Administrative në Tiranë; Kostot e përgatitjes së dokumenteve, kostot e transportit nga Tropoja në Tiranë minimalisht në dy seanca gjyqësore janë më të larta se gjoba, pa marrë fare parasysh këtu koston e avokatit që është minimumi 45 mijë lekë. Pra qytetarit në këtë rast i mohohet e drejta për të pasur akses në gjykatë, për shkak të kostove të larta.
Çfarë do të thotë për drejtësinë tonë vendimi i Gjykatës së Strasburgut për dy shtetas shqiptarë?
Vendimi i Strasburgut i vitit 2022 është për të gjitha çështjet, të cilat kanë kaluar afatet e shqyrtimit për shkak të reformës në drejtësi. Në këtë vendim të Gjykatës së Strasburgut, vonesat në gjykim për këtë arsye i gjen të pajustifikuara.
Kemi rastin e dy qytetarëve, në një vendim që tashmë është publik, që jo vetëm u është mohuar e drejta për gjykim të drejtë, në shkelje të nenit 6 të Konventës së të Drejtave të Njeriut, por u është thënë që gjykimi i arsyeshëm duhej të ishte garantuar, duke e marrë në konsideratë vonesën e kuptueshme të shkaktuar nga reformat e thella në sistemin e drejtësisë dhe nga procesi i vetting-ut.
Parimi i gjykimit brenda afatit të arsyeshëm ka rëndësi themelore për gjykimin civil/administrativ, pasi përbën dhe një nga elementët e procesit të rregullt ligjor të parashikuar në nenin 6 të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut.
Ky parim bazohet në postulatin “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Shkalla e respektimit të këtij parimi përcakton në mënyrë të ndjeshme dhe efektivitetin e procesit gjyqësor.
Një kohëzgjatje, gjithsej deri në dy vjet për çdo shkallë të gjykimit në çështjet normale (jo komplekse) është konsideruar si e arsyeshme. Kur proceset kanë zgjatur më shumë se dy vjet, Gjykata e shqyrton nga afër çështjen për të konstatuar nëse autoritetet kombëtare kanë treguar ose jo korrektesën1 e duhur gjatë procesit;
Vonesa e gjykimit të çështjeve nuk mund të justifikohet më me vonesën dhe problemet që ka shkaktuar Reforma në Drejtësi, pasi kanë kaluar shumë vite nga zbatimi i saj dhe nuk mund të përdoret më ky justifikim.
Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë vijon të shprehet mbi kërkesat e paraqitura nga avokatët për vonesat e pajustifikuara në shqyrtimin e çështjeve se nuk janë të qëllimshme, pasi gjyqtarët kanë qenë në mungesë absolute të aftësive për të gjykuar, si shkak kanë marrë reformën në drejtësi.
Gjykata Europiane të Drejtave të Njeriut GJEDNJ ka përcaktuar se periudha e afatit të arsyeshëm për përfundimin e një procesi gjyqësor civil shtrihet, që nga momenti i ngritjes së padisë te momenti i ekzekutimit të vendimit gjyqësor. Gjykata ka një pozitë kryesore dhe të veçantë, pasi është i vetmi organ përgjegjës për dhënien e drejtësisë dhe si e tillë merr pjesë në mënyrë të detyrueshme në të gjitha marrëdhëniet që krijohen gjatë gjykimit të çështjes.
Gjykimi i këtyre rasteve jep shpresë. Shteti duhet të marrë masa, të gjejë mënyrat si duhet të plotësojë vendet e lira dhe ngërçet e shkaktuara nga pseudo Reforma në Drejtësi, pasi nuk mund të quhet reformë në drejtësi me gjithë vonesat e shkaktuara në shqyrtimin e dosjeve.
GJEDNJ, në shqyrtimin e çështjeve të gjykimit të brenda afatit të arsyeshëm, verifikon ekzistencën, në legjislacionin e brendshëm të Shteteve anëtare, të një “rruge ligjore të efektshme”, duke theksuar si vijon: “në kuptim të nenit 35, pika 1, të Konventës, u takon Shteteve të dëshmojnë ekzistencën e një rruge ligjore të mundshme dhe të duhur, e cila të jetë e efektshme si në teori, ashtu edhe në praktikë dhe të ketë gjasa për zgjidhjen e shkeljes së pretenduar. Duhet të ekzistojë në teori dhe në praktikë në një shkallë sigurie të mjaftueshme. (GJEDNJ çështja “Ziabreva – Rusi”, datë 18 dhjetor 2008, pika 15 dhe 16)”.
GJEDNJ tani u jep shteteve dy alternativa, ose t’u ofrojnë paditësve kompensim për cenim të shkaktuar nga vonesa të tepruara, ose të mundësojnë, me kërkesë të paditësit, përshpejtimin e procesit.
Çfarë pritet të ndodhë me dosjet administrative, siç janë ato të marrëdhënies së punës, pensionet apo pronave që zvarriten, a do t’i drejtohen për shqyrtim Gjykatës së Strasburgut?
Tashmë është fakt që në Republikën e Shqipërisë, për një vend pune paguhen 6 veta. Po çfarë ndodh me këta 5 individë të tjerë që nuk janë në vendin e tyre të punës. Duhet theksuar se kishim të bënim me punonjës të larguar që e kishin të lidhur jetën e tyre me sistemin e karrierës në administratën publike, dhe të trajnuar për pozicionin e punës në administratë.
Së pari, largimi i punonjësve nga puna krijoi probleme sociale, pasi heqja e tyre nga puna shkaktoi pamundësinë e pagesave të detyrimeve që nga shpenzimet bazike deri te shkollimi i fëmijëve.
Së dyti, një pjesë e tyre për shkak të mosgjetjes së një vendi pune po largohen në emigracion.
Së treti, largimi pa të drejtë nga puna do të rëndojë kostot financiare ndaj buxhetit të shtetit, pasi ndaj tyre shteti do të paguajë dëmshpërblimet nga dhënia e të drejtës nga vendimet e gjykatës për pushim të padrejtë nga puna.
Për rrjedhojë pritet të ndodhë fenomeni i dërgimit të çështjeve për shqyrtim në Strasburg dhe të gjithë do të kenë të njëjtin fat si vendimi i përmendur. Por nuk është vetëm procesi i marrëdhënies së punës, janë edhe procese të tjera që zvarriten në kohë pambarimisht, si ato të pronave, të kontratave, pra civile edhe penale që do të kenë gjasa t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.
Janë të shumta rastet e endjeve të qytetarëve në dyert e gjykatave për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Zyra jonë po shqyrton çështjen e një të moshuari nga zona rurale e Tiranës, i cili ka fituar të drejtën për pension pleqërie në Gjykatën e Shkallës së Parë pas shumë pritjesh e vuajtjesh, pasi nuk kishte mundësi për të paguar një avokat.
Çështja në fjalë është depozituar në gjykatë, pasi të moshuarit i ishte caktuar pension pleqërie në masën 2,000 lekë në muaj. Nga gjyqtari i shkallës së parë vendimi është dhënë në kohë rekord, por çështja ka mbetur pezull pa u shqyrtuar nga viti 2014 pranë Gjykatës së Apelit.
Nga zyra jonë i është ofruar shërbim pa pagesë. Kemi bërë kërkesë pranë Gjykatës së Apelit Administrativ për të zbatuar afatet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile, referuar nenit 399/3 që parashikon që afati i gjykimit në Gjykatën e Apelit Administrativ është 1 vit. Jemi ende në pritje të një përgjigje nga Gjykata nëse do ta marrë në konsideratë këtë kërkesë.
Për fat të mirë Gjykata e Lartë, për një rast të ngjashëm e ka gjetur të padrejtë zvarritjen e procesit dhe duke marrë shkas nga ky qëndrim i GJL shpresojmë që proceset e njohjes së vjetërsisë së pensioneve të mos zvarriten tej çdo logjike të arsyeshme.
Kjo dispozitë e Kodit të Procedurës Civile gjithashtu parashikon se nëse kemi tejkalim të afateve 1 vit në shkallën e parë të gjykatës, 1 vit shkalla e apelit dhe fati maksimal prej 3 vitesh në Gjykatën e Lartë, gjithkush gëzon të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim.
Si mund të zgjidhet problematika me stokun e dosjeve?
Në Gjykatën e Apelit Administrativ mund të krijohet një trupë gjyqësore e posaçme, e cila të shqyrtojë vetëm çështjet me sensitivitet të lartë, sikundër janë marrëdhëniet e punësimit dhe çështjet e pensioneve të pleqërisë, të cilat për fat të keq zënë dhe pjesën dërrmuese të stokut.
Këto lloj çështjesh nuk janë komplekse dhe nëse do të krijohej ky seksion i veçantë në Gjykatën e Apelit Administrativ nuk do të ndodheshim përpara kësaj drame që qytetarët po përjetojnë, ku pensionistët nuk do e gëzojnë dot pensionin, sepse mosha e tyre nuk përkon me mendësinë e zvarritjeve dhe të larguarit padrejtësisht nga puna që në 100% të rasteve janë specialistët më të mirë të vetme zgjidhje shohin emigrimin.
Nuk do të jetë e largët dita kur të kërkojmë shërbime mjekësore dhe nuk do të ketë mjekë, kur të drejtohemi për kontrollin teknik të automjeteve dhe specialisti që do të bëjë kontrollin nuk është inxhinier, kur të kërkojmë shërbime në hipotekë dhe nëpunësi nuk është jurist, kur të ndërtojmë shtëpitë, rrugë dhe vepra të tjera publike apo private dhe të mos ketë më inxhinierë e profesionistë të fushës etj.
Pasojat që do të vijnë nga kjo gjendje janë vërtet të frikshme.
Përveç aspektit social, i cili duhet të vërë në lëvizje ligjvënësin dhe qeverinë, aspekti financiar është gjithashtu i dhimbshëm. Vendimi i Strasburgut është sinjal alarmi! Dëmshpërblimet që do të jepen nga kjo gjykatë për shkak të shkeljeve të afateve të arsyeshme të gjykimit nuk do t’i mbulojë dot më justifikimi që gjithçka ka ndodhur për shkak të Reformës në Drejtësi.
Fatura e lartë financiare e dëmshpërblimeve që do të rëndojë buxhetin e shtetit na prek të gjithëve, çdo qytetar të RSH-së taksapagues që nga i porsalinduri që lind me borxhe deri te pensionistët.
Është detyrë e ligjvënësve të gjejnë mënyrën për uljen e stokut të dosjeve të pashqyrtuara, që nga plotësimi i vendeve të lira të gjyqtarëve me profesionistë nga radhët e juristëve. Është e domosdoshme që ky fenomen të ndalet dhe te publiku të kthehet besueshmëria ndaj gjykatave./ Monitor
